Grabitet argjendaria në qendër të Vlorës, një i plagosur nga të shtënat me armë

Një grabitje me armë ka ndodhur në Vlorë paraditen e sotme. Të dhënat paraprake flasin për grabitjen e armatosur të një argjendarie. Sipas burimeve, ka pasur të shtëna me armë dhe një person dyshohet se është plagosur.

Sipas policisë, një person i armatosur ka tentuar të grabisë një argjendari. Autori është ndjekur nga policia. Dyshohet se në një moment ka pasur të shtëna me armë nga ana e efektivëve që ka plagosur autorin e dyshuar. Ky i fundit dbëhet e ditur se është shoqëruar nga policia.

Njoftimi i policisë

Vodhi nën kërcënimin e armës së gjahut, një sasi bizhuterish në një argjendari, falë reagimit në kohë të Policisë kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një çantë me bizhuteritë e vjedhura, si dhe arma e gjahut me të cilën kërcënoi pronaren e argjendarisë.

Rreth orës 11:05, ka ardhur një telefonatë se në bulevardin “Ismail Qemali”, në argjendarinë në pronësi të shtetases E. H., kishte hyrë një shtetas, i cili dyshohet se në kërcënimin e armës së gjahut, ka vjedhur një sasi bizhuterish dhe është larguar.

Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë e mundur që autori i dyshuar, shtetasi  M. K., 18 vjeç, të kapej dhe prangosej nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Isa Boletini”.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale bizhuteritë e vjedhura dhe armën e gjahut me të cilën kërcënoi pronaren e argjendarisë.

Në drejtimin e  Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.