Patronazhistët përgjuan edhe ambasadat, reagon zyrtarisht Hollanda për punonjësit: Do të bëjmë denoncim

Të dhënat konfidenciale për afërsisht 600 punonjësish të ambasadave të huaja në Tiranë, përfshirë edhe personelin e ambasadës së Hollandës, janë pjesë e Databazës që Partia Socialiste u vuri në dispozicion patronazhistëve të saj, për zgjedhjet e 25 Prillit. Siç ka raportuar më herët Lapsi.al të dhënat për 910 mijë banorë të Tiranës janë ato që u ishin besuar institucioneve shtetërore, ndërkohë që u grabitën dhe u shpërndanë për patronazhistët e PS-së, në mënyrë që këta ta kishin më të lehtë identifikimin e votuesve pro apo kundër Rilindjes.

Por media holandeze, Der Volkskrant është interesuar pranë Ministrisë së Jashtme të Holandës dhe pranë ambasadës holandeze në Tiranë, nga ku ka mësuar se personeli i ambasadës ka bërë ose do të bëjë një denoncim në lidhje me këtë çështje.

“Ministria Jashtme e Holandës ka pranuar që të dhënat konfidenciale të personelit të saj në ambasadë janë përfshirë në listën dhe thotë që ekzistenca e databasit është “shqetësuese”. “Punonjësit e ambasadës kanë bërë ose do bëjnë denoncim për këtë”, thotë një zëdhënës. Holanda thotë, se bashkë me vende të tjera të BE-së dhe me delegacionin e BE-së, po e ndjek nga afër çështjen” shkruan Der Volkskrant.