Instituti Ndërkombëtar për Studime të Ballkanit: Basha fiton zgjedhjet më 25 Prill, regjimi i Ramës-brutal!

IFIMES – Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, me seli në Lubjanë – Slloveni, parashikon se opozita e drejtuar nga Partia Demokratike del fituese në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Në një opinion të botuar në “eurasiareview”, IFIMES shprehet se Shqipëria nuk mund të mbajë më barrën e rëndë të varfërisë dhe padrejtësisë.

“Aleanca për Ndryshim, e udhëhequr nga Partia Demokratike përbën koalicionin fitues. Është një koalicion i përgjithshëm kundër regjimit brutal të Partisë Socialiste të Edi Ramës. Shqiptarët janë zhveshur nga e ardhmja e tyre. Kjo është e dukshme në çdo hap, përfshirë prindërit që nuk e dinë se çfarë e ardhme i pret fëmijët e tyre, numrin e madh të shqiptarëve që kërkojnë punësim dhe një të ardhme më të sigurt. Sundimi autokratik dhe arrogant i Kryeministrit Rama, në ndërthurje me nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit e ka çuar Shqipërinë në humbje dhe larg rrugës së integrimit në BE”, thekson IFIMES.

Duke u ndaluar te figura e kryeministrit Edi Rama, instituti shprehet se, “biografia politike dhe morale e Ramës është një barrë për Shqipërinë”.

“Partia Socialiste nuk ka arritur të modernizohet, por ka mbetur një parti e ngurtë, regjuese, autokratike komuniste. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Rama ka vendosur një regjim i cili është një ndërthurje e regjimeve të Enver Hoxhës dhe Sllobodan Millosheviçit”, komenton më tej IFIMES, që sjell në vëmendje dhe akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për “tregti me territore shqiptare”, duke cekur rastin e Kosovës dhe marrëveshjen e detit me Greqinë.

IFIMES vijon më tej, duke u shprehur se Republika e Shqipërisë, aktualisht, është në situatën më të vështirë që nga rënia e regjimit të Enver Hoxhës në 1991.

Sipas IFIMES, humbja e regjimit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jetë e mjaftueshme për të siguruar një të ardhme dhe perspektivë më të mirë të shtetit të Shqipërisë dhe qytetarëve të tij.

Sipas analistëve, vijon IFIMES, zgjidhja mund të vijë përmes instrumentit të “Besës” – që mund të përdoret për të arritur një konsensus të përgjithshëm shoqëror: të bësh një premtim publik (marrëveshje shoqërore) në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për të lënë mënjanë dallimet, ankesat dhe antagonizmat.