Elbasani, pritje madhështore Bashës për fitoren

Elbasani i ka rezervuar një pritje entuziaste dhe madhështore Bashës në takimin e funit electoral para zgjedhjeve të së dielës. Basha ka kujtuar veprat e mëdha infrastrukturore të inicuara prej tij për Elbasanin si tuneli i Krrabës. “Të dielën Elbasani I prin fitores më të thellë, më të madhe dhe më të bukur. Do të jetë fitorja e ndryshimit”, tha Basha.

Fjala e plotë e Bashës

Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra në këtë mbrëmje të mrekullueshme kthehem në Elbasanin tuaj, në Elbasanin tim, në zemrën e Shqipërisë, zemrën që rreh për fitoren më të thellë të Elbasanit, fitoren më të bukur të Elbasanit, fitoren e familjeve dhe fëmijëve të Elbasanit. Vëllezër dhe motra 8 vite me radhë kam qenë pranë jush dhe me ju në ditët e një dimri pafund kur priteshin dritat e familjeve në lagjet më të vjetra të Elbasanit, kur shkurtohej ndihma ekonomike dhe hiqej buka e fëmijëve të Elbasanit. Unë nuk kisha veç fjalës asgjë për të ndalur lotët që rrokulliseshin të nënave të Elbasanit , 8 vite dimër marrin fund ditën e diel sepse këtu jemi mbledhur si asnjëherë që nga kjo kryezemër e kombit të ushtojë në mbarë Shqipërinë thirrja që buron nga zemra e çdo elbasanasi, ndryshim.

Bashkë për ndryshim! Fitore! Fitore e çdo banori të këtij qarku fisnik nga Përrenjasi në Gramsh, nga Librazhdi në Cërrik, nga Dumreja në Peqin dhe këtu në zemrën e qarkut, në zemrën e Shqipërisë Elbasanin e fisnikërisë.

Bashkë erdhëm afër dhe u afruam, bashkë ëndërruam të paimagjinueshmen dhe sot është realitet, tuneli i Kërrabës. Tirana dhe Elbasani janë bashkë dhe afër më shumë se kurrë, më shumë se në të bukur ëndërr. Bashkë ëndërruam dhe bëmë të vërtetë një nga dy investimet më të mëdha të dekadës kaskadën e Devollit. Dhjetëra mijëra familje të punësuara energji për Elbasanin për Shqipërinë. Bashkë shtruam rrugën e zhvillimit dhe të infrastrukturës në Dumrenë e bekuar nga Zoti dhe kudo anë e mbanë Elbasanit dhe vepra të tjera i lamë gati për të përfunduar si rruga Qukës Qafë- Plloçë dhe projekti i përfundimit të korridorit të 8-të drejt Qafë- Thanës që me të drejtë e sheh Elbasanin siç është qendër dhe kryeqendër të vija Egnatia.

Për 8 vite me radhë, 8 vite dështime i lanë këto projekte përgjysmë, i mbushën shtëpitë me të papunë dhe i zbrazën nga e rinia e mrekullueshme e Elbasanit, të cilën e dëbuan nga shtëpitë e tyre drejtë emigracionit. 8 vite vuajtje, 8 vite padrejtësi, 8 vite dhunë. Por nga Elbasani e mësoi, nga Shqipëria e mësoi dhe sot e di dhe vetë ai që 8 vite e mbajti vendin peng, se të dielën Elbasani i prin fitores.

I prin fitores më të thellë, më të madhe dhe më të bukur. Fitores dhe ndryshimit që kjo kështjellë, kjo kala e qytetarisë, e mençurisë, e arsimit, e dijes, e punës, e zejtarisë, e bujqësisë të rrezatoj menjëherë anembanë Shqipërisë kulturën traditën e çmuar dhe të shtrenjtë të Elbasanit dhe kështu do të ndodh, sepse me 25 prill elbasanasit do të votojë për qetësinë e fëmijëve të tyre, do të votojnë për paqen në zemrat e prindërve për sigurinë e fëmijëve të tyre, për punësimin e nënave dhe baballarëve dhe për ta kthyer Elbasanin dhe universitetin e tij në një qendër model arsimi për rininë e mrekullueshme të Elbasanit, të Korçës e të mbarë Shqipërisë dhe kështu do të ndodh, mirëqenia, punësimi janë tashmë jo të kyçura në vargojve 8 vjeçar të Edi Ramës, të skutave të errëta por janë me 25 prill këtë të diel në dorën e çdo burri dhe gruaje, çdo vajze dhe çdo djali që do dalë e do votojë për ndryshimin për fitoren. Do dal e do votojë këtu në këtë qytet, në këtë trevë, anembanë Shqipërisë, një popull që mezi po e pret të dielën, sepse këto, ju e dini, e dini më mirë se kushdo janë zgjedhjet më të rëndësishme në Shqipëri, sepse vendimi që do të marrim është edhe 4 vite të tjera si këto 8 që kaluam apo bashkë për të hapur dyert e zhvillimit, dyert e ndryshimit, dyert e Elbasanit dhe Shqipërisë si gjithë Europa! Ne e dimë fare mirë, ju e dini fare mirë, unë e kam parë dhe e dëgjoj nga jugu në veri buçimën, këngën e fitores. Kjo do të jetë fitorja më e bukur sepse do t’iu takojë të gjithëve ju, vëllezër dhe motra pa dallim, pa dallim ashtu si vuajtja dhe mjerimi nuk ka shpëtuar askënd nga ndëshkimi, ashtu dhe ndryshimi që po vjen është i vërtetë, është i prekshëm dhe do të jetë plot gëzim për çdo banor të Elbasanit, për çdo shqiptar dhe çdo shqiptare pa përjashtim. D

he prandaj kam nderin dhe kënaqësinë dhe ju mundësinë të çoni drejt parlamentit dhe mazhorancës fituese të Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë në fitoren më të thellë, ekipin tonë të mrekullueshëm, shkrimtarë, profesorë, mjekë, juristë, ekonomistë, sipërmarrës, të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Dielli i shpresës, dielli i besimit, dielli i fitores rrëzëllit në sytë tuaj, nata e të keqes bie përherë të fundit këtë të diel, sepse Elbasani do të marrë në dorë fatin e vet, të familjeve të veta dhe vëllezër dhe motra ëndrrat tuaja dhe ëndrrat e mia për Elbasanin nuk kanë mbaruar. Ëndrrat e mia, ëndrrat tona për Elbasanin nuk kanë mbaruar. Më 25 Prill le të fillojmë punën me votën tuaj për t’i bërë realitet këto ëndrra, për të vazhduar projektet, për të çliruar familjet, sipërmarrjet, fermerët, mjekët, mësuesit dhe rininë dhe për ti dhënë mundësinë për zhvillim, për punësim, për pensione dinjitoze për të rikthyer modelin e vyer dhe të çmuar që unë vëllai juaj jabanxhi e di që ju bën krenar e na bën krenar të gjithë si shqiptarë, qytetarinë e elbasanllinjve.

Do ta bëjmë realitet sepse të Dielën e gjithë Shqipëria dhe zemra e saj Elbasani do të votojnë masivisht për numrin 9. Do të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre numrin 9, për prindërit tanë numrin 9, për qytetarinë numrin 9, për paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik numrin 9, për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian numrin 9. Bashkë për ndryshim! Elbasani fiton! Shqipëria fiton! Fitore!