Tensionet në fushatë kanë vetëm një autor, Edi Ramën/ Meta: Djali i Lefter Kokës me pistoletë pa leje blen vota për PS-në

Presidenti Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat denoncoi sot se banda kriminale po veprojnë në Durrës duke blertë vota për llogari për Partisë Socialiste.

Meta tha se, në Durrës po veprojnë banda e Vangjush Dakos dhe ajo e Lefter Kokës.

Meta tha se djali i Lefter Kokës, bashkë me persona me rekorde kriminale dhe me bekimin e policisë, del me pistoletë pa leje duke blerë vota e terrorizuar qytetarë.

Meta akuzoi Lefter Kokën e Alqi Ballakon, të dy kandidatë të PS për zgjedhjet e 25 Prillit për “aferën e inceneratorëve”. Meta u shpreh se pavarësisht provave për paligjshmëri, SPAK nuk vepron me urdhër të pushtetit. Ai tha se paratë e përfituara nga kjo aferë korruptive, po përdoren për të blerë vota.

Meta publikoi dhe një video nga qyteti i Shkodrës për të cilën tha se tregon se si blihen votat.

Presidenti Ilir Meta ka akuzuar drejtpërsëdrejti Kryeministrin Edi Rama si autorin e tensioneve artificiale të fushatës.

“Tensionet artificiale të fushatës kanë vetëm një autor, Edvin Kristaq Ramën. Kjo situatë e çmendur në Shqipëri ka vetëm një autor që është Edvin Kristaq Rama”, deklaroi Meta.

Deklaratat e Metës vijnë pas atyre të Kryeministrit Rama, sipas të cilit tensionet në fushatë po shkaktohen nga Kreu i Shtetit.

Pasi u publikua një foto e shkëputur nga video, Kreu i Shtetit u akuzua se takon në fshehtësi subjekte të OFL-së. Ndërkohë sipas Metës ai është ulur në lokalin e kreut të PS së Gjirit të Lalzit dhe ky i fundit ka ardhur e ka takuar Metën në shenjë respekti meqënëse kishte ndaluar në lokalin e tij bashkë me z.Ramazan Topuzi, i cili e shoqëronte Kreun e Shtetit gjatë ecjes buzë detit.

“I ka vënë spiunë Presidentit, por harron se Presidenti është poliagjent i vjetër. Ai thotë se takoj OFL. Por ja kush është. E kanë hequr djalin. Ramazani e ka bërë padinë në SPAK se e kanë cilësuar kontingjent. Ky është Ramazan Topuzi. Mos të kenë merak se me OFL do vazhdojmë. Kjo është fytyra e Edi Ramës”, tha Meta.