Bie miti i mbrojtjes së vaksinës kineze!

Nga Dr. Erion DASHO

Propaganda e Boratit që nga momenti kur nisi vaksinimi elektoral me vaksinën CoronaVac ishte se kjo vaksinë mbron 100% nga vdekjet.

Nga njëra anë, mali i kritikave drejtuar CoronaVac lidhej me mbrojtjen e ulët nga infeksioni, pra me pamundësinë për të ndihmuar në krijimin e imunitetit të grupit, me mungesën e certifikimit nga EMA dhe FDA, me faktin që vetë prodhuesit pranuan pas shumë muajsh mungesën e efektshmërisë së vaksinës dhe me faktin që vaksinat në Shqipëri po silleshin nëpërmjet një ndërmjetësi.

Nga ana tjetër, qeveria e Boratit dhe boratëve ngulte këmbë në faktin se vaksina mbronte 100% nga vdekja dhe se në sajë të vaksinimit (të 10% të popullsisë me një dozë!!!) do të arrihej imunitet grupi dhe një verë e qetë.

Fatkeqësisht për rilindësit dhe boratët dhe fatmirësisht për qytetarët shqiptarë, petët e lakrorit po dalin një dhe nga një.

Një studimi i sapopërfunduar në Kili tregoi se vaksina CoronaVac ka vetëm 67% efektivitet kundër simptomave (kundër infektimit pritet të jetë shumë më e ulët se kaq) dhe vetëm 80% efektivitet kundër vdekjeve.

Nga vendet ku aplikohet vaksina CoronaVac, Kili është një vend që përkufizohet si demokraci dhe shoqëri e lirë dhe studimet e ekspertëve në këtë vend kanë pak gjasa të influencohen nga politika. Në këto kushte, sot mund të themi se kemi të dhënat e para të besueshme rreth cilësisë që ofron CoronaVac.

Sot mund të thuhet me siguri se “miti” i mbrojtjes 100% të personave të vaksinuar me CoronaVac sot ka rënë!

Komiteti politik i të paaftëve duhet të njoftojë urgjentisht personat që janë vaksinuar me CoronaVac të vazhdojnë respektimin e të gjithë masave mbrojtëse. Ata i përkasin shtresave më vulnerabël të popullatës dhe çdo ekspozim ndaj SARS-CoV-2 i rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën!

Boratë të komitetit!

Studioni urgjentisht të dhënat e studimit kilian!

Nisni urgjentisht fushatën e komunikimit me publikun, përndryshe garancitë e gënjeshtërta që ka dhënë padroni juaj politik mund të shkaktojnë sëmundje dhe vdekje të tjera midis qytetarëve që ende besojnë mashtrimet tuaja elektorale.

Përndryshe nesër do të jepni llogari!