Basha: Shqiptarët duan masivisht ndryshimin! Asgjë nuk mund të ndalë vullnetin e shumicës absolute për t’u bërë pjesë e BE

Lideri i opozitës, Lulzim Basha vazhdon të marrë mbështetje nga Perëndimi për zgjedhjet e 25 prillit. Këtë herë ai mori mbështetjen e Partisë Popullore Europiane, grupimit më të madh politik në Europë. Drejtuesit e PPE shprehën bindje se do jetë Basha që do e çojë Shqipërinë në BE.

Presidenti i PPE, Donald Tusk vlerësoi programin e Partisë Demokratike dhe tha se, Shqipërisë i duhet më shumë se kurrë ndryshimi. Ai gjithashtu u shpreh se Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian në mënyrë që të përmirësojë jetën dhe perspektivën. Besimin për këtë arritje, Donald Tusk e sheh tek Basha, -pasi sipas tij- kreu i opozitës është provuar se mund t’i realizoj arritjet e mëdha dhe provë për këtë kemi anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza për të gjithë shqiptarët.

Ndërsa zëvendës presidenti i Parlamentit Europian, David Mcalister, tha se përparimi drejt Bashkimit Europian varet nga reforma të qëndrueshme. Duke i cilësuar si shumë të rëndësishme zgjedhjet e 25 prillit, Mcalister shprehu besimin tek Basha se do të mundësoj çuarjen përpara të reformës në drejtësi, uljen e papunësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe marrëdhënie të mira me fqinjët dhe bashkëpunim rajonal.

Duke i shprehur mirënjohje për mbështetjen që po i japin Partisë Demokratike dhe popullin shqiptar, Basha tha se, prioriteti i qeverisë së ardhshme do të jetë hapja e negociatave me Bashkimin Europian brenda 100 ditëve të para të qeverisjes. Kreu i opozitës gjithashtu tha se hapja e vendeve të punës për të rinjtë do të bëjë të mundur ndalimin e valës masive të emigracionit që e ka vendosur Shqipërinë në krye të vendeve të botës mbi bazën e kapitalit në 8 vitet e fundit.

“Faleminderit miq të dashur, anëtarë të kryesisë së familjes sonë të Partisë Popullore Europiane. Më lejoni të filloj duke shprehur mirënjohjen time dhe ekipit tim dhe të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike që u keni gjetur kohë për të mbështetur Shqipërinë dhe popullin shqiptar, për të mbështetur aspiratat europiane të shqiptarëve. Prioriteti ynë është të hapim rrugën e negociatave dhe ta bëjmë Shqipërinë një anëtare të plotë të Bashkimit Europian.

Kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë por me mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e vendeve anëtare që janë pjesë e familjes sonë të madhe ne kemi qenë në gjendje të tregojmë se kur jemi të bashkuar në qëllim dhe jemi të përkushtuar për të ndërmarrë reforma të vërteta, kjo ka funksionuar për t’i sjellë shqiptarët më pranë Bashkimit Europian. Ndihem i bekuar, ne të gjithë jemi të bekuar me miq si ju, me ndihmën që ju keni dhënë gjatë gjithë këtyre viteve që bënë të mundur që shqiptarët të arrinin një moment historik, një ëndërr që ishte lëvizja pa viza në Europë.

Sot dua të ritheksoj angazhimin tonë për të rihapur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë. Për 8 vite hapja e negociatave ka ngecur, dhe ky nuk është dështimi i BE-së. Populli shqiptar e kupton shumë mirë se ky është vetëm dështimi qeverisë e cila nuk i ka përmbushur reformat e nevojshme në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara. Unë ju siguroj sot se ky është angazhimi im, angazhimi i ekipit tonë, i Partisë Demokratike para popullit shqiptar që pas zgjedhjeve të 25 Prillit brenda 100 ditëve të para të qeverisë së re të hapim negociatat për anëtarësim në BE. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë që anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian është e vetmja garanci për një ekonomi më të fortë, për investime të huaja që ofrojnë punë dhe paga më të mira, për forcimin e demokracisë së institucioneve dhe sundimin e ligjit, për forcimin e konkurrencës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Hapja e vendeve të punës për të rinjtë tanë do të bëjë të mundur ndalimin e valës masive të emigracionit që e ka vendosur Shqipërinë në krye të vendeve të botës mbi bazën e kapitalit në tetë vitet e fundit. Shqiptarët duan masivisht ndryshimin dhe ne e kemi vënë theksin te pjesëmarrja që të gjithë të dalin dhe të votojnë masivisht për ndryshimin, për numrin 9, për Aleancën për ndryshim. Është në duart e tyre të përcaktojnë fatin e familjeve të tyre dhe fatin e vendit tone. Asgjë nuk mund të ndalë vullnetin e shumicës absolute të shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, për të përmirësuar ekonominë dhe për të mbajtur të rinjtë tanë në shtëpi dhe për t’ju mundësuar të rinjve tanë të qëndrojnë në vendin tonë duke ju garantuar atyre punësim përmes investimeve shqiptare dhe të huaja, për një e ardhme më të mire për të gjithë.  Dhe kjo është arsyeja për sloganin tonë “Bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton”.

Është një përgjegjësi e madhe për Partinë Demokratike dhe për mua nesër të jem në krye të popullit më pro-europian në botë dhe të jem pjesë e një familjeje politike që dominon sot Bashkimin Europian. Unë e di që kemi shumë punë për të bërë së bashku për t’i kthyer në suksese sfidat më të cilat po përballemi. Kështu punuam për liberalizimin e vizave, një proces shumë kompleks siç e dini shumë mirë pasi nënkryetari e theksoi gjatë bisedës time të fundit me të, se kishte shumë skepticizëm nga vendet anëtare por ne e bëmë atë realitet.

Së bashku ne e bëmë atë të mundur ashtu siç bëmë edhe me anëtarësimin në NATO. Shqiptarët sot e dinë se pa Europën ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi më të fortë. Dhe unë shpresoj dhe jam mirënjohës për mbështetjen e familjes sonë politike, për mbështetjen tuaj, për mbështetjen e të gjithë miqve tanë të dashur, për mbështetjen e vendeve anëtare për ta realizuar atë që presin sot shqiptarët, për të hapur negociatat në njëqind ditët e para të qeverisë tonë”, tha Basha.

2 154