Sulmohet me armë zyra e PD, plagoset Sekretari i PD Kavajë. Ja kush është e shkuara kriminale e autorit

Policia e Kavajës ka shpallur në kërkim shtetasin Ndriçim Jonuzi me mbiemrin e ndryshuar Tahiri, pasi plagosi me armë zjarri këtë pasdite brenda zyrës elektorale të PD, shtetasin Bledi Okshtuni.

Sikundër mësohet kanë qenë tre persona që kanë hyrë në ambientet e brendshme të PD në Kavajë dhe kanë qëlluar me armë zjarri.

Personat, autorë të ngjarjes janë: Ndriçim Jonuzi, Markel Shtylla (drejtori i Policisë Bashkiake) dhe Dorian Troplini.

Ajo që mësohet është se Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri ka qenë person i shpallur në kërkim dhe është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një nga vendet e BE-së.

Në mars të vitit 2014 policia e Kavajës në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë bërë të mundur kapjen e një të kërkuari për vrasje në Torino, të Italisë.

Forcat e policisë e kanë mbajtur nën vëzhgim 36 vjeçarin Ndriçim Jonuz Tahiri, lindur e banues në Kavajë dhe e kanë ndjekur atë.

Kur ka dalë nga xhamia ku po falej, agjentët e policisë i kanë hedhur prangat pa hasur në rezistencë.

“Ky shtetas ka qenë i kërkuar ndërkombëtar nga Interpol Roma me datë 29 Maj 2007, të Gjykatës së Torinos në Itali, e cila e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale të vrasjes“, ka njoftuar policia asokohe.’