Pse Vuçiç mbështet Ramën duke futur hundët në punët e brendshme

Nga Kastriot ISLAMI

Rama e Vuçiç ka kohë që bashkëpunojnë ngushtësisht fshehtësisht, madje deri në detaje. Janë më shumë se shokë e miq antishqiptarë. Prandaj shumë shqiptarë të ndershëm e analistë mendojnë se Rama e Vuçiç kanë lidhje intime sikur të ishin vëllezër siamezë. Mendohet se veçanërisht kanë bashkëpunuar ngushtë për ndarjen e Kosovës, për të hedhur në erë pavarësinë dhe sovranitetin e saj, madje duke shkuar edhe më larg deri në cenimin e integritetit të saj territorial…

Shumë analistë, brenda e jashtë vëndit, mendojnë po ashtu se tezat e marifetet e tyre kanë vënë në rrezik stabilitetin e rajonit, madje duke u pozicionuar Shqipërinë deri edhe kundër qëndrimit gjerman. Shumica dërmuese e shqiptarëve çdo ditë e më shumë po binden për vërtetësinë e këtyre përfundimeve duke e etiketuar Ramën ashtu siç e meriton, “tradhtarin” e kombit shqiptar e të shqiptarëve, vetëm e vetëm për karrigen e pushtetit të tij personal.

Mbështetja e hapur e Vuçiç për Ramën në javën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, me shumë gjasa ka qenë e porositur dhe konceptuar në zyrat e dizinformimit në Tiranë. Shqiptarët, kudo ku ndodhen, dhe s’janë aspak nacionalistë të sëmurë apo naivë, por patriotë të ndershëm e të mençur, janë ndjerë të intimiduar rëndë vetëm nga fakti që një nacionalist i njohur ka futur hundët në punët e tyre të brendshme, duke mbështetur një individ që urrehet masivisht.

Por edhe kjo e keqe, si çdo gjë tjetër, ka edhe të mirën e saj. Vuçiç, duke dashur ta mbështesë Ramën, e ka bërë njësh me të keqen e madhe që shqiptarët në shumicë dërmuese kanë vendosur ta shkallmojnë në 25 prill 2021.

Shqiptarët ndjehen të qetë që më në fund E VERTETA doli në dritë të DIELLIT; askush s’ka më nevojë për më shumë argumente e fakte që iu servirën publikut nga ata vetë: Përmes këtij veprimi antikushtetues të ndërhyrjes në punët e brendshme të një vëndi fqinj, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, mund të thuhet pa hezitim se u zbardh emri i patronazhistit të Ramës, ai quhet Aleksandër Vuçiç, që pati guximin ta vetëdeklaronte edhe orientimin e Ramës. Tani mund të kuptohet qartë nga të gjithë shqiptarët:

  1. Përse Rama i vuri traun kosovarëve në Rrugën e Kombit;
  2. Përse Rama vuri në rrezik pavarësinë e sovranitetin e Kosovës duke bashkëpunuar me Vuçiç edhe kundër Gjermanisë e Merkel për ndryshimin e kufijve në Kosovë e në rajon…;
  3. Përse Rama tentoi të inkriminonte Haradinajn që nuk lejoi cenimin e integritetit territorial të Kosovës;
  4. Përse Rama goditi pas shpine Albin Kurtin që nuk pranoi lojërat e tij tinzare me Vucic në kurriz të Kosovës;
  5. Përse Rama u përpoq së bashku me Vuçiç, për interesa ta karriges personale, të hidhnin në erë stabilitetin e rajonit, madje duke i futur thikën pas shpine edhe Gjermanisë, edhe Merkelit…;

Mbështetja haptas e Vuçiç për Ramën, duke futur hundët në punët e brendshme të Shqipërisë, e mbi të gjitha në zgjedhjet parlamentare, për një individ të urryer e të diskredituar, tregoi se fati e fundi i tyre duket i përbashkët…

Kjo mbështetje ka intriguar shumë shqiptarë, e veçanërisht socialistë të ndershëm, të mendojnë se Vuçiç është kryetari i vërtetë i Rilindjes, kurse Rama, ndonëse cilësohet prej tij me tallje si “lideri ballkanik”, nuk është gjë tjetër veçse një sekser i tij. Kjo mbështetje ka bindur shumë shqiptarë të ndershëm se fijet e manekinit Rama i lëviz sipas qejfit Vuçiç. Kjo ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë evokoi kohët e vjetra duke provuar se pas Ramës është Vuçiç, apo gjithçka Rama thotë e bën, është konceptuar e bashkërenduar me Vucic. Duke iu referuar gjithçkaje kanë bërë e deklaruar Rama e Vuçiç së bashku, të krijon perceptimin se të dy janë vëllezër siamezë me një dallim të parëndësishëm: Vuçiç është vëllai i madh, kurse Rama është vëllai i vogël…

Sa për dijeni të Vuçiç që i referohet sondazheve të paguara majmërisht nga Rama: Mbështetja për NDRYSHIM në Shqipëri është mbi 75 përqind dhe mashtrimet e Ramës, të vendosura në gojën e Vuçiç, veçse rrisin edhe më shumë revoltën shqiptare, prandaj mbështetja e Vuçiç për Ramën, ndonëse tenton ta shpëtojë atë, vetëm e fundos edhe më thellë në humbje. Por mbi të gjitha e damkos atë si TRADHËTARIN e KOMBIT SHQIPTAR…