Kapet në Berat furgoni me ndihma nga Rezervat e Shtetit kundrejt votës për PS

Partia Demokratike e Beratit ka kapur mbrëmjen e sotme në flagrancë një furgon të bashkisë, të mbushur me ushqime që sipas informacioneve, do të shpërndaheshin në disa lagje të varfra të qytetit.

Furgoni është ndaluar nga përfaqësuesit e opozitës përpara magazinave të zyrave të arsimit të bashkisë Berat dhe është njoftuar policia.

Pas hapjes së derës së furgonit është parë se ai ishte i tejmbush me kuti ushqimore mbi të cilat shkruhej “Ndihma nga Rezervat e shtetit”.

Në furgon, që prej ndalimit të tij e deri tani ndodhet edhe kryetarja e Rajonit Nr. 2 Joana Melëngu e cila është njëkohësisht edhe anëtare e një prej KZAZ-ve në Berat.

Efektivë të shumtë policie të kryesuar nga drejtori i DPV Berat Neritan Nallbati janë në vendngjarje dhe janë në pritje të oficerit të Policisë pranë Prokurorisë së Rrethit. Berat.

Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Beratit,Tomorr Alizoti ka deklaruar se, ky është një veprim i turpshëm dhe një skandal elektoral që po ndodh disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Alizoti ka deklaruar se, ndihmat po ndahen nga Partia Socialiste për t’u blerë votat qytetarëve. Ai ka deklaruar se të gjithë ata që prekin votën që është e shenjtë, do të përballen nesër përpara ligjit.

“Ne po bëjmë një fushatë të ndershme dhe kjo që po ndodh në Berat është jo vetëm turp por edhe krim elektoral”, ka thënë Alizoti.

1 192