Detaje të reja, drejtori i Policisë Bashkiake bashkëpunëtor në plagosjen e sekretarit të PD Kavajë

Tre persona rezultojnë të përfshirë në sulmin me armë ndaj zyrës elektorale të PD në Kavajë ku mbeti i plagosur Bledar Oshtuni.

Nga raportimet mësohet se personat e përfshirë në ngjarjen më të rëndë kriminale të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit janë Ndriçim Jonuzi, i cili ka pasur edhe armën e zjarrit, si dhe shtetasit Markel Shtylla, drejtori i Policisë Bashkiake dhe Dorian Troplini, me precedentë penalë.

Nga të dhënat e para nga terreni, rezulton se Ndriçim Jonuzi allias Ndriçim Tahiri, rezulton me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës ndërsa në 2007 është dënuar me 8 vite heqje lirie dhe ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai u fsheh në zonën e Kavajës deri kur u arrestua në 2014. Gjatë ditës mes tij dhe përfaqësuesve të PD ka pasur një konflikt.

I plagosuri është transportuar drejt spitalit rajonal në Durrës, për të marrë ndidhmë mjekësore, ndërsa me dhjetra militantë të PD janë mbledhur pranë zyrës elektorale, ku akuzojnë Kryeministrin Edi Rama.

Kandidatja e Partisë Demokratike, Grida Duma nga Kavaja ka komentuar ngjarjen, duke e cilësuar atë me motiv politik dhe personat që janë të përfshirë në këtë ngjarje janë një person biznesi që ka lidhje me punonjësit e bashkisë dhe një polic bashkiak.

Duma dënoi ngjarjen e rëndë, ndërsa akuzoi 3 autorët e dyshuar. Mes të tjerash Duma tha se PD nuk do ta lërë me kaq këtë çështje.

“Reflekton frikën nga humbja por kjo nuk është mënyra që duam që të zhvillohen zgjedhjet. Bled Okshtuni është dhe djali i plagosur dhe vjen nga një familje demokrate që ne e njohim, personat që kanë hyrë në zyrat e PD-së dhe e kanë goditur dhe i kanë kërkuar të heqë makinën, Një polic i policisë së Kavajës dhe një Ndriçim Jonuzi se është ky rasti i shumë emrave ka fituar një tender dhe njihet si një person i afërt me punonjës. Ne do të reagojmë fort dhe fillimisht unë jam afër familjes dhe të plagosurit. Kjo është një ngjarje politike, se s’ka mundësi që një biznesmen që fito tendera nga bashkia dhe një polic bashkiak të futet në shtab dhe të bëjë një sjellje të tilla”, ka thënë Duma.