Takimi i fundit i Ramës si kryeministër në Berat

Nga Namir LAPARDHAJA

Të gjithë kryeministrat në ikje synojnë takime të mëdha, masive. Dhe i realizojnë.

Ndonëse takimi ishte në Berat, nuk munguan autobuzë nga Skrapari e Poliçani, Dimali e Kuçova, nga fshatrat dhe rrethinat. Njerëz pa shpresë, por me besim të palëkundur tek partia.

Takimi ishte për qytetarët dhe socialistët, por u morën me detyrim punonjësit e administratët (“+2-3 familjarë me vete”).

Sa më pëlqen ideja se administrata shtetërore (ashtu siç bën zakonisht në këto raste) do të votojë në masë të madhe kundër Rilindjen. U ka ardhur në majë të hundës nga arroganca dhe nëpërkëmbja. Nuk po flas për militantët e thekur, sepse ata kurrë nuk do të ndryshojnë.

Mitingu ishte për deputetët, por u hap nga kryetari i bashkisë, i cili akuzoi PD-në për keqqeverisje lokale. (Nuk besoj se e ka pasur për drejtimin e Milika Jahos para 20 vjetësh!).

Dëgjova fjalimet e kandidatëve të listës së PS-së. Thellësisht të ngjashëm. Elozhe ndaj liderit, mungesë natyrshmërie. Të shkruar nga e njëjta dorë, me të njëjtën ide, linjë logjike dhe vijë politike. Të gjithë të lodhur, të zënë nga lufta mes veti. (PARIMI: RAMA DO IKË, TË SHPËTOJMË Ç’TË MUNDIM DUKE FITUAR ATË DREQ MANDATI).

Si asnjëherë më parë, Rama i rrethuar nga gardistë dhe masa të rrepta sigurie. Më tepër se për të bërë bilancin e punëve aktuale dhe të premtimeve të së ardhmes, ai motivoi të tijët për fitore imagjinare.

Foli për rrugë dëshpërimi dhe mbijetese, por nuk dha asnjë bilanc për rrugë konkrete.

Foli për bujqësi të transformuar, por nuk tregoi për monopolizim të subvencionimit në vetëm pak duar në këto 8 vjet.

Foli për kampionë lokal të bujqësisë dhe tha se do ta shndërronte këtë sektor në kampion të rajonit, por harroi protestat dhe hedhjet në kanal të produkteve bujqësore, për shkak të mungesës së tregut dhe taksave e tarifave të larta.

Rama foli dhe aktroi. Retorika dhe interpretimi i tij ishte në nivele të admirueshme. Atij duhet njohur kjo meritë. Iu desh të sillte nga arkiva historike Rapush Xhaferrin për ta bërë narrativën e tij më të besueshme dhe më prekëse për dëgjuesit. Imagjino se sa i dëshpëruar duhet të jetë për situatën politike në të cilën ndodhet!

Edhe pse u shfaq në nivele të larta aktoriale, takimi i Ramës në Berat ishte i fundit si kryeministër.