“SHBA, partneri ynë strategjik”, Basha komenton deklaratat e ambasadores Yuri Kim

“SHBA është partneri strategjik i Shqipërisë. Interesi i tyre për një demokraci të konsoliduar në Shqipëri, demokracinë dhe lirinë në Shqipëri nuk është diçka e re dhe në këtë kuptim nuk mendoj se ka ndërhyrë në fushatën elektorale, përkundrazi ka thënë atë që duhet të thotë cdo politikan me integritet dhe cdo qytetar me integritet; jo korrupsionit, dilni dhe votoni dhe merrni përgjegjësi me votën tuaj” tha ai.

Por a shikon Basha ndërhyrje nga Turqia në favor të Edi Ramës? “Turqia është një aleat dhe partner në NATO me të cilën Shqipëria ka dhe duhet të zhvillojë marrëdhënie bilaterale. Një gjë është e qartë si drita e diellit, pavarësisht nga përpjekja për personalizim të marrëdhënieve, kryeministri në ikje ka dështuar dhe në politikën e jashtme si në cdo fushë për të prodhuar të mira për qytetarët, ka prodhuar negativitet dhe komplikime edhe aty ku politika shqiptare zakonisht ka qenë e bashkuar, si në rastin e Kosovës dhe politikës rajonale”.

Po a është normale që Albin Kurti të bëjë fushatë në Shqipëri për kandidatët e Vetëvendosjes? “Unë nuk e shoh Albin Kurtin të bëjë fushatë në Shqipëri por një përpjekje të Edi Ramës për t’u imponuar si lider global dhe ndërkohë kjo e ka çuar drejt dështimit me cdo angazhim të politikës shqiptare. Sa vende ka ndihmuar Shqipëria që Kosova të njihet, në cilat institucione ka ndihmuar të anëtarësohet?” tha ai.

Lulzim Basha shpalosi edhe prioritetin absolut të politikës së jashtme. “Prioritet absolut i politikës së jashtme do të jetë mbështetja e Kosovës në njohjen nga vendet që nuk e kanë njohur, njohjen në institucionet ndërkombëtare dhe shkrirjen në një të ekonomive tona” tha ai./abcnews