”Më kishin caktuar patronazhist të Berishës pa dijeninë time”, gazetari: U befasova! Absurde!

Publikimi i të dhënave personale nga portali e-Albania, të përdorura nga PS për zgjedhjet e 25 prillit, është kthyer në një çështje shqetësuese dhe ka shkaktuar shumë debat.
Mes shumë emrave të njohur, në listë ishte edhe ai i ish-kryeministrit Sali Berisha, patronazhisti i të cilit ishte gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku.

I ftuar në emisionin “7pa5” në “Vizion Plus”, Baku theksoi se, u befasua kur u informua nga mediat, duke e cilësuar absurditet faktin se ai ishte caktuar `patronazhist` i Berishës pa dijeninë e tij.

Baku tha mes të tjerash se marrja e të dhënave personale është një shkelje e të drejtave të njeriut.

E kam marrë me sportivitet këtë lajm që ka dalë këto ditë. Jemi në muajin prill dhe dihet me çfare feste fillon ky muaj. Me Berishën kam marrëdhënie shumë të mira që datojnë që nga koha ime në Strasburg, por nuk ndikojnë në bindjet e mia sportive, kulturore, artistike, apo edhe politike. Unë nuk jam në dijeni, më duket shumë butaforike. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Jam kundër këtyre praktikave. Realisht jam kundër këtyre praktikave. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla. Unë e mora me shumë sportivitet”, ka deklaruar Baku.