Në politikë vlera matet në administrimin e humbjes

Ardi Stefa

Kur fiton merr përsipër përgjegjësinë dhe peshën e fitores e përgjegjësisë. Kur humbet qëndron pas dhe ndjek vendimet e shumicës. Nuk hedh gurë. Këtë përcaktojnë rregullat e demokracisë dhe rregullat e moralit dhe etikës.

Në politikë madhështia e liderit matet dhe duket jo tek fitorja, por tek administrimi i humbjes.

Por po nuk e përballove dot, e mira është që të mos luftosh, se mos ndoshta edhe e shmang.

Epoka post-Rama në PS ka nisur, por kryeministri nuk është nga ata që do të shesin lirë lëkurën e vet. Në moshën 56 vjeçare ai nuk do në asnjë mënyrë që të sillet vërdallë nëpër Shqipëri si turist, apo si ndonjë politikan pensionist siç bëjnë politikanët e vjetër.

Duke qenë narcist i dashuruar me pushtetin, ai pushtetin nuk e le kollaj t’i rrëshqasë, qoftë si kryeministër, qoftë si kryetar i PS.

Rama nuk është budalla. E di që do të humbasë në këto zgjedhje dhe duhet të që administrojë të ardhmen e tij politike. Do jetë në rrugë të bërtasë e ulërasë kundër politikave të kundërshtarit dhe kundërshtarit? Më e mundshmja është që të kërkojë të jetë edhe për tetë vite të tjera në qendër të “vendimeve e jetës politike shqiptare”.

Por që të arrijë deri atje, duhet që të qartësojë situatën brenda partisë së tij, në mënyrë, pra, që të mos ketë në parti njerëz që të vënë në dyshim autoritetin dhe lidershipin e tij. Një kryeministër i mbaruar politikisht, nuk është domosdoshmërit edhe një kryetar partie politikisht i mbaruar, që do të përpiqet të administrojë zemërimin e pasuesve dhe të rilindë.

Rama ka filluar të administrojë që tani humbjen në zgjedhje.

Nuk janë aspak të rastësishme listat e kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit, si edhe vendosja e “senatorëve” të PS në vende nga fundi, ku rrezikohet potencialisht zgjedhja e tyre në parlament.

E gjitha kjo mundet të interpretohet në disa mënyra:

E para, si demonstrim i forcës ndaj kundërshtarit, duke i treguar që është i sigurtë që do të fitojë në 25 prill!

E dyta, të motivojë ministrat dhe “senatorët” e partisë që të punojnë më shumë dhe duke punuar për fitoren e tyre për të hyrë në parlament, të garantojnë fitoren e PS në zgjedhje.

Të dyja janë opsione, të cilat duhen marrë parasysh.

Por unë mendoj se është një tjetër parametër në përzgjedhjen që ai bëri për t’i vendosur të vjetrit e PS në vendet në fund të listave.

Vendosja e tyre në vendet e rrezikuara dhe moszgjedhja e tyre në parlamentin e ardhshëm, vetëm nëpërmjet disa formulave e marifeteve, është edhe një mënyrë spastrimi, që Ramës i siguron kreun e partisë. Ashtu sikundër ia garanton kreun e partisë edhe vendosja në vendet fituese e disa personave, të cilët nuk kanë asnjë kontribut, asnjë lidhje me PS, asnjë lloj biografie politike, në emër të rigjenerimit, rinovimit të partisë.

Pikërisht kjo kategori anonimësh politikë në PS, bën të mundur mbijetesën politike në krye të partisë të Ramës. Pasi, në rast se në vendet fituese të listës do të ishin “të vjetrit” e PS, pas humbjes së zgjedhjeve do ta “shqyenin” Ramën dhe nuk do të ishte më as në krye të partisë.

Rama e di se “senatorët” pas humbjes në zgjedhje do t’i kërkojnë llogari për gjithçka dhe do të lëkundin themelet e autoritetit të tij brenda partisë. Do t’i kërkojnë llogari për gjithçka, për të gjitha gabimet, të cilat i çuan në humbjen e pushtetit. Ndoshta edhe do të kërkojnë largimin e tij si përgjegjës për humbjen gjatë kërkimit të shkaqeve të humbjes. Shumë “senatorë” do t’i faturojnë atij humbjen duke thënë se në zgjedhjet e 25 prillit nuk fitoi PD, por humbi PS, në disa raste do të artikulohet edhe fakti që humbi sekti rilindas rreth Ramës që kapi për gryke në këto tetë vite Partinë Socialiste.

Rama e di mirë lojën e spastrimeve. Vjen me një origjinë politike të një force që di si t’i “vrasë” fëmijët, sa herë që këta të fundit shmangen nga linja! Nuk e ka problem, pra, as të largojë cilindo që e ka pengesë në periudhën pas zgjedhjeve në opozitë. Koha e tij në kolltukun kryeministror ka përfunduar dhe ajo ç’ka atij i duhet është një “peisazh i pastër” brenda partisë, në mënyrë që të vazhdojë të jetë i fuqishëm, qoftë edhe brenda një partie në opozitë.

Ndaj këmbëngul që Rama ka filluar qysh herët të administrojë humbjen.

Një humbje në politikë nuk sjell fundin e botës. Por administrimi i humbjes, në rast se është realiste mundet të sjellë fundin e gabimeve, ose, në rast se është katastrofike mundet të sjellë një dëm edhe më të madh nga vetë humbja dhe fundin e një epoke.

A është i gatshëm Rama të pranojë humbjen denjësisht?

Ngelet për t’u parë, por duke njohur karakterin e tij konfliktual një gjë e tillë është e vështirë.