25 prilli nuk do të mjaftojë…

Ilirjan TAGA

Ju pashë dje përballë “kokëfortë” si gjithmonë. Aty në vijë të parë, të gatshëm në çdo thirrje, të pashpërblyer dhe të pashpërblyeshëm, të mplakur dhe të rinuar e të burrëruar.

Do kisha dashur t’iu kujtoja historitë e vjetra që ju na i keni treguar kur kemi qenë të vegjël, historitë me të cilat jemi rritur, e që nuk na ngopnin barkun por na ushqenin krenari, krenarinë që na siguronte qëndresë në një përballje krejtësisht të pabarabartë me regjimin, krenari që bënte të ndiheshim fitimtar.

Atëherë, ne nuk mendonim për privilegje por, kërkonim drejtësi, nuk mendonim për përkrahje por, kërkonim liri, nuk pretendonim pushtetin, por demokracinë. Sepse ne e dinim apo besonim se drejtësia, liria dhe demokracia, do të na mjaftonin për të jetuar mirë e me dinjitet. Atëherë ne nuk mendonim as dëmshpërblime, kërkonim respekt.

Prandaj edhe ishim krenarë, se historia, duke na radhitur kundër së keqes, na kishte bërë dashur apo pa dashur, heronjtë e të mirës. Ishim krenarë se, çfarë kërkonim ishin ideale, shpirtërore, fisnike, njerëzore. Dhe ishte më e madhe se vetja jonë, vuanim dhe rezistonim pakicë për shumicën e shqiptarëve.

Po sot? A nuk i mungojnë këtij vendi drejtësia, liria, demokracia?
A nuk duket se misionin nuk e kemi realizuar ose misioni na është rikthyer?
Ne jemi të padëmshpërblyeshëm. Nuk na kthejnë dot jetët, rinitë, vitet, nuk na fshijnë dot dhimbjet. Sado të bëjnë, edhe pse nuk e kanë bërë sa duhej e sa mundej, është e sigurtë se, ne nuk ngopemi me dëmshpërblime, me privilegje, me vende pune, me bursa studimi.
Ne ngopemi vetëm me liri, me demokraci, me drejtësi.

Sot, ky vend, kërkon e pret prapë nga ne. Sepse ne kemi lindur luftëtarë dhe luftëtari është gjithmonë kur ka betejë
Prandaj ne, ish të përndjekurit, jemi prapë në ballë të betejës sot. Jo, as në emër dhe as për hatër të dikuj tjetër, por në emër dhe për hatër të vlerave tek të cilat besojmë…

…e luftëtari i mirë, nuk peshon sa lufton bashkëluftëtari i vet, lufton më shumë, lufton edhe për të.
Me 25 Prill duhet të ndalim rrugëtimin mbrapsht të Shqipërisë dhe ta kthejmë nuk rrugë të mbarë. Kësaj rradhe jemi të qartë se, 25 Prilli nuk do të mjaftojë, do të jetë vetëm pika e kthesës dhe e fillimit…