Skandali i Ramës për vjedhjen e të dhënave të 1 milion votuesve, Meta: SPAK të hetojë urgjentisht!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për skandalin e madh të Ramës me përdorimin e jashtëligjshëm gjatë fushatës të të dhënave personale të rreth 1 milion shqiptarëve.

Presidenti gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Pogradec ka deklaruar se, i ka kërkuar SPAK që të hetojë urgjentisht për skandalin e vjedhjes nga PS të të dhënave personale.

“Jam sot këtu për të bërë publike kërkesën e Presidentit të Republikës drejtuar SPAK dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen më të fundit, skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe të vjedhjes së PS të të dhënave personale të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të dhëna që mbrohen nga ligji. Është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër e çdo norme dhe e çdo morali për të vendosur të dhënat personale të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë në funksion të një force politike”, tha ai.

Pas publikimit në media të këtij skandali, ditën e djeshme, edhe ish deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj,  denoncoi Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama se ka përdorur të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë duke shkelur privatësinë e tyre gjë që është vepër penale. Alibeaj shtoi, se në selinë e PS janë vendosur kompjuterë dhe serverë që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania për qëllime zgjedhore.

Ndërkohë ditën e sotme mësohet se SPAK ka nisur verifikimet në kryeministri për të vërtetuar nëse të dhënat e shqiptarëve në portalin e-albania të cilat mbrohen me ligj, janë të njëjtat me ato që po përdorin shtabet elektorale të PS-së.