Punësime elektorale nga OSHEE dhe UKT në këmbim të votës

Avokatët Arjon Besimaj dhe Kujtim Çakrani kanë depozituar në prokurorinë e Vlorës një kallëzim penal për Ujësjellësin dhe OSHEE-në në Vlorë, dy institucione që sipas tyre kanë punësuar njerëz për qëllime elektorale në dy muajt e fundit. Në shkresën e tyre drejtuar prokurorisë ata thonë se punësimet janë bërë me kushtin se familjarët e personave të punësuar do të votojnë forcën politike në pushtet Partinë Socialiste.

“Kemi rënë në dijeni të faktit se drejtuesit e institucionit të Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Vlorë, kohët e fundit dhe në vijim deri në momentet e këtij kallëzimi kanë punësuar dhe vazhdon të punësojnë në mënyrë të kundraligjshme individë duke anashkaluar çdo procedurë të parashikuar nga Kodi i Punës”, thuhet në padi.

Ata kërkojnë nisjen e një verifikimi për të gjitha pretendimet e ngritura në kallëzim penal, duke bërë kontroll pranë Bankave të Nivelit të dytë, ku marrin pagën punonjësit e këtyre institucioneve. Ata shprehen se të tillë persona nuk kanë lidhje fare me ujësjellës kanalizimet ne Vlorë apo me OSHE pasi nuk mund ta bëjnë dot atë punë.

Cakrani shprehet se i ka marrë informacionet në rrugë konfidenciale, dhe të tilla informacione ia ka paraqitur Prokurorisë së bashku me instruksionet se çfarë duhet të ndjekë për ta çuar çështjen deri në fund. Sipas tij, prokuroria e Vlorës duhet të verifikojë punësimet e tre muajve të fundit duke verifikuar edhe rrogat që i kalojnë këtyre personave në institucionet financiare të nivelit të dytë.

Sipas avokatit kjo është një detyrë e tij, jo vetëm si avokat, por dhe si qytetar i Vlorës, pasi një administratë e fryrë me punonjës rëndon në xhepat e qytetarëve duke u rritur ujin apo dritat.