Quo vadis kultura në Shqipëri 2013-2021

Prof.asc. Taulanda JUPI

Arti, liria dhe kreativiteti mund të sjellin në kulturën e një kombi ndryshime më të vlefshme dhe më të shpejta se politika, por nëse politika në këtë trinom ka hequr lirinë atëherë, pas mbetet vetëm pyetja:

Quo vadis kultura në Shqipëri 2013-2021?

Mungesa e vullnetit politik për vendimmarrje të drejta në shërbim të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore gjatë viteve 2013-2020, ka penguar dinamikën zhvilluese të këtij sektori të pazëvendësueshëm për ndikimin e tij në mirëqenie, zhvillim dhe edukim, e fatkeqësisht në disa fusha ka dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme vlera të rëndësishme të trashëgimisë, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

Vendimmarrja në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore gjatë periudhës 2013-2020 nuk reflektoi dhe nuk u mbështet asnjëherë mbi angazhimet politike dhe premtimet elektorale të bëra nga Partia Socialiste në dy programet parazgjedhore prezantuar respektivisht në vitin 2013 dhe në vitin 2017.

Ministria e Kulturës edhe në “Strategjinë për Artin dhe Kulturën 2019-2025” pas më shumë se shtatë vite të qeverisjes së Partisë Socialiste, riciklon të njëjtat sfida dhe prioritete, të njëjtat qëllime dhe objektiva, pothuaj të njëjtat reforma që duhet të kryhen në këtë sektor. Mungesa e vizionit, mungesa vullnetit për të reflektuar mbi çfarë është bërë gabim, analizat dhe arsyet, tregon paaftësinë, papërgjegjshmërinë por mbi të gjitha dështimin e plotë për të kryer reforma të vlefshme në kulturë, art dhe trashëgimi si një prioritet për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar përballë një diversiteti kulturor global që gjallon e zhvillohet me shpejtësi, por edhe si një parakusht për një realitet social më tolerant e më gjithpërfshirës, për të cilin sot kanë aq shumë nevojë shqiptarët.

Referuar të dhënave gjatë shtatë viteve e fundit 2013-2020 buxheti për Ministrinë e Kulturës ka qenë pothuaj i pandryshueshëm duke zënë një mesatare konstante 0.68 ~ 0,7% të buxhetit të shtetit duke u radhitur e fundit për nga vlera e buxhetit e saj në krahasim me ministritë e linjës. Ministria e Kulturës në varësi të saj ka 28 institucione të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, të cilat përdorin 50% të buxhetit të kësaj ministrie kryesisht për rroga dhe sigurime shoqërore.

Gjithashtu referuar të dhënave për rajonin buxhetet për sektorin e kulturës janë:

Republika e Serbisë, 3% të buxhetit vjetor ose 112 mln €.

Republika e Maqedonisë së Veriut, 3% të buxhetit vjetor – 69 mln €.

Republika e Kosovës 43 mln €.

Politika dhe vendimmarrja e centralizuar dhe vertilake, pa borde transparente, në mungesë totale të reformave apo miratimit të ligjeve të premtuar i ka bërë institucionet publike të artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore më të varuara ndaj pushtetit, më hermetike ndaj individit krijues apo punonjësve të tjerë në fushën e artit e kulturës dhe si rrjedhojë më pak efikase. Këto institucine jo vetëm që nuk gjenerojnë dot të ardhura nga të tretët, por sot këto institucione nuk përdorin dot as të ardhurat nga biletat, një e drejtë që është sanksionuar me “Ligjin për Artin dhe Kulturën” Nr.10352, datë 18.11.2010.

Po kështu vendimet arbitrare dhe të pakonsultuara me palët e interesit (në këtë rast me gjithë spektrin e artistëve dhe krijuesve) si mbyllja e Qendrës Kombëtare Artit dhe Kulturës, mbyllja e ekspozitës ndërkombëtare “Onufri” një traditë 20-vjeçare në artet pamore apo ndërprerja, me arsyen se do të rikonceptohej, pas dhjetë vjetësh traditë i Festivalit të Regjisorëve të Rinj, janë vetëm disa nga hallkat që u këputën në vitin 2013 në dinamikën zhvilluese për krijimin e tregut të artit e kulturës, i cili është i pazëvendësueshëm për rankimin e produktit artstik në bazë të vlerës dhe konkurueshmërisë. Referuar programit “Kultura për Shqipërinë krijuese” 2013, vërejmë se disa nga premtimet ishin:

➢ Rishikim dhe hartim në Standardet Europiane të paketës ligjore që përfshin: Ligjin për Krijimtarinë, Ligjin për Sponsorizimet dhe Nxitësit Fiskalë, Statuset Specifike (për secilin institucion të krijimtarisë), Kontratën Kolektive, Kontratën Individuale, etj.

Dështim në hartimin e paketës ligjore. Në dy mandate qeverisës, në më shumë se shtatë vjet kjo qeveri nuk arriti të miratojë asnjë paketë ligjore që mbron dhe standartizon të drejtat e individit krijues, asnjë ligj për krijimtarinë, nxitësit fiskalë apo hallka të tjera që do të çlironin këtë sektor nga centralizimi, për të dhënë mundësi punësimi për artistët, krijuesit dhe punonjësit e tjerë në fushat e artit dhe krijimtarisë, për të nxitur një treg konkurues, të drejtë ku produkti kulturor dhe kreativ të vlerësohet mbi cilësinë.

Përkundrazi, si rezultat ndryshimeve në politikën fiskale prej shtatë vitesh çdo krijues, shkrimtar, përkthyes, artist i arteve pamore apo skenike, çdo punonjës i lirë në fushën e artit paguan tatimin në burim mbi të ardhurat në masën 15%, shumë e cila peshon rëndë në fondet dhe buxhetet e siguruara me shumë vështirësi. Përmendim këtu se të gjithë këta artistë, krijues apo punonjës në industrinë kreative që paguajnë taksa e detyrime për çdo fond që arrijnë të sigurojnë, në këtë periudhë të vështirë, të detyruar të mos punojnë për shkak të pandemisë COVID-19, nuk kanë marrë deri tani asnjë ndihmë, asnjë lehtësi fiskale apo mbështetje finaciare nga qeveria.

Industria e librit, në të gjitha hallkat, krijim, botim, shpërndarje ka vuajtur rëndesën e taksave dhe mungesën e komunikimit për të lehtësuar këtë sektor, i cili përtej humbjes së atyre që meren me këtë biznes, për vetë natyrën specifike të tij, humbësja e vërtetë ëshë kultura.

Fondi i Bibliotekës Kombëtare u dëmtua nga ndërhyrja agresive në Sheshin Skënderbej, dëm për të cilin edhe sot nuk ka transparencë. Ndërkohë po përgatitet një tjetër projekt për zhvendosjen e këtij institucioni në mungesë të inventarizimit të fondit gjë e cila do të sillte dëmtimin apo zhdukjen e ekzemplarëve të rrallë të trashëgimisë së mendimit. Rrjeti i bibliotekave, qoftë atyre që varen nga pushteti lokal, qoftë rrjeti i bilbliotekave në varësi të institucioneve të arsimit parauniversitar janë larg përditësimit me tregun e botimeve, mungojnë fondet e akorduara për këtë qëllim apo ndërhyrja me politika lehtësuse për furnizimin e tyre me tituj të rinj që nxisin lexuesin, e veçanërisht lexuesin e ri për të qenë më pranë librit.

Dështime të tjera të tjera që faktojnë se platforma “Shqipëria krijuese” ishte vetëm një premtim elektoral janë:

Rigjenerimi i institucioneve kulturore Hapja e Shkollës së Cirkut pranë Liceut Artistik Hapja e degës së dramës AA në Shkodër. Krijimi i Studios Eksperimentale në TKOB Status i veçantë për Teatrin e Shkodrës dhe të Korçës Rikonceptim i Festivalit të Përvitshëm për Regjisorët e Rinj Rikonceptim i Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit Hapja e dy teatrove të reja për fëmijë në periferi të kryeqytetit Vendosja e Qendrës Kombëtare Multifunksionale për Fëmijë në ambiente të reja.

Asgjë nga këto nuk ka ndodhur, asnjë premtim nuk u mbajt dhe vendimmarrja politike nuk pati si parakusht premtimet dhe projektet për zhvillim të qëndrueshëm në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, por axhenda personale në themel të së cilave qëndrojnë skema korruptive.

Si rezultat i kësaj vendimmarrje sot kemi dëme të pakthyeshme në objekte të rëndësishmë trashëgimisë kulturore. Megjithëse në të dy programet edhe në vitin 2013 edhe në vitin 2017 ishte premtuar:

“Rikonstruktim tërësor i Teatrit Kombëtar sipas standardeve europiane”, kjo ndërtesë u shemb përmes dhunës, terrorit dhe paligjshmërisë duke dokumentuar qartë se shteti është vënë në shërbim të krimit e mafies, por edhe duke shpërfillur organizata prestigjioze që mbrojnë dhe vlerësojnë trashëgiminë kulturore si Europa Nostra dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët vazhdimisht ngulën këmbë për dialog dhe zgjidhje institucionale.

Po kështu, stadiumi Kombëtar Qemal Stafa u shemb në paligjshmëri të plotë, pasi vendimi për shembjen dhe akti i shembjes u kryen kur ishte ende objekt brenda zonës së mbrojtur, apo dhe ndërhyrje të tjera në qendrën historike të Tiranës si ndërhyrja në Sheshin Skënderbej, dëmtimi pamor i Kullës së Sahatit, kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme perspektivën pamore të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, duke humbur vlerat funksionale, arkitekturore dhe historike të tij.

Urbicidi i ndodhur në Tiranë, në Durrës ku një pjesë e projektit ‘Veliera” u ndërtua mbi rrënojat arkeologjike, por edhe në disa qytete të tjerë si pjesë e projektit “Rilindja Urbane”, kanë dëmtuar rëndë gjurmët historike, kujtesën dhe objekte vlerë të trashëgimisë kulturore.

Edhe ato pak objekte të trashëgimisë kulturore kryesisht të kultit fetar që arrijnë të restaurohen apo shpëtojnë riskut të shëmbjes, ruhen nën projekte që financohen apo monitorohen nga organizmat ndërkombëtarë si: UNESCO, Bashkimi Europian, dhe patnerë të tjerë ndërkombëtarë, etj.

Ndëshkueshmëria ndaj agresionit të treguar këto vite kundrejt objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike është premitim dhe fillimi i një projekti të ri që kujdeset, ruan, kultivon dhe përcjell në të ardhmen artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore dhe historike duke filluar nga kultura e zbatimit të ligjit.

rama 2

1 107