Basha në Klos: Ndryshimit do t’i prijnë gratë. Socialistët e zhgënjyer janë bashkuar me demokratët për ndryshim

• Nga Klosi, Basha pyet gratë shqiptare: Edhe 4 vite të tjera në vendnumëro apo ndryshim? 25 prilli, bashkim për të hapur derën e Europës.

• “Më 25 prill, Shqipëria merr kthesën e merituar drejt Europës”, Basha me qytetarët në Klos: Rama trembet nga bilanc zero. Ndryshim që gratë shqiptare të mos rrinë në shtëpi të papuna.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur në qytetin e Klosit i cili ka përshëndetur qytetarët dhe simpatizantët. Pasi i falënderoi për mbështetjen që po i japin, Basha tha se 25 prilli nuk bëhet për një njeri apo për një parti, por bëhet që të hapen dyert drejt Europës në mënyrë që të vijnë investimet europiane që mungojnë prej 8 vitesh dhe që i kanë bërë të rinjtë dibranë dhe matjan të emigrojnë.

Lulzim Basha: Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, mirë se ju gjej ju, të reja dhe të rinj të Klosit. Në këtë pasdite të bukur dielli po shkëlqen por jo kaq shumë sa shpresa juaj për ndryshim që do të bëhet realitet me 25 prill. E sotmja ka nisur në Dibër, Maqellarë, Bulqizë, Klos dhe ashtu si kudo tjetër ku jam në Shqipëri është e pamundur të mos emocionohesh nga energjia e jashtëzakonshme e shqiptarëve që nuk ka forcë ta ndalë, nuk ka forcë ta kyçë. 8 vite dimër ekonomik, 8 vite premtime të pambajtura. 8 vite arrogancë, 8 vite varfërim, 8 vite gënjeshtra nuk mundtë lahen me 8 javë sharje dhe baltosje. Koha për ndryshim, ora për ndryshim, dita për ndryshim po afron dhe kjo i ka bashkuar shqiptarët, i ka bashkuar më shumë se kurrë më parë.

Në mesin tonë nuk janë vetëm demokratët, luftëtarët e demokracisë qëndrestarët për shtetin e së drejtës, por janë edhe socialistët e zhgënjyer të cilët janë bërë njësh me demokratët, me qytetarët, me fermerët për ndryshim që nuk ka forcë ta ndalë. Dhe ndryshimi është përgjegjësi, ndryshimi nuk është privilegj i njeriu për kolltukun e një kryeministri. 25 prilli nuk bëhet për një njeri, as vetëm për një parti, 25 prilli bëhet që të gjithë së bashku të hapim dyert drejt Europës në mënyrë që të sjellim këtu investimet europiane të cilat mungojnë prej 8 vitesh dhe i kanë bërë të rinjtë tanë të emigrojnë, i kanë bërë gratë e Klosit, të Matit, të Dibrës të kyçen të papuna në shtëpi, të papunë pa shpresë, pa të ardhura. 8 vite jua kanë vjedhur të ardhmen e fëmijëve. I pyes gratë dhe nënat e Klosit njësoj siç pyeta gratë dhe nënat e Bulqizës dhe të Dibrës. A do e lejoni t’ua vjedhë edhe 4 vjet të tjera fëmijëve tuaj? Sigurisht që jo.

Gratë e Dibrës, gratë e Shqipërisë do t’i prijnë ndryshimit ndaj jam i bindur se të gjithë së bashku 25 prillin do ta kthejmë në referendumin më historik ku Shqipëria do të marrë kthesën e merituar por të paarritur 30 vite tranzicion. Duke mbyllur derën e tranzicionit, duke sjellë ndryshimin e vërtetë, duke e futur Shqipërinë në rrugën drejt Europës që do të thotë rritje pagash, do të thotë zhvillim ekonomik, do të thotë subvencione për fermerët do të thotë status për minatorët e Matjan, të Kolosit, të Bulqizës, të Pogradecit e kudo ku janë. Vetëm kështu do të mund të ecim përpara. Kjo është plotësisht e mundur. Kjo është në duart tona, është në duart tuaja, asgjë nuk na diferencon nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova. Kemi të njëjta, madje më shumë pasuri. Kemi të njëjtat, madje njerëz edhe më të talentuar, edhe punëtorë, edhe më të fortë. Të bëhemi bashkë, që këto pasuri të sjellin mirëqenie për familjet tuaja, për Klosin, për Matin e për gjithë Shqipërinë.

Dy javë për t’ju përgjigjur një pyetje: edhe 4 vite të tjera me këtë që 8 vite nuk mbajti asnjë premtim? Edhe 4 vite të tjera dështime? Edhe 4 vite të tjera varfëri? Taksa të larta, çmime të larta, edhe 4 vite të tjera në çatinë e botës për çmimin e naftës dhe në fund të botës për pagat, për pensionet, a durohet më qoftë edhe një ditë e vetme? Apo votë për ndryshim? Votë për numrin 9, për Partinë Demokratike, për Aleancën për Ndryshim. Kjo është pyetja e vetme, pyetje të cilën kryeministri në ikje nuk do që ta pyes askush. Ndaj shpik lloj, lloj marifetesh, sepse ai trembet bilancit zero që ka me qytetarët. Premtimeve të pambajtura dhe mbi të gjitha i trembet përgjigjes tuaj, a mund të vazhdojë edhe 4 vjet të tjera Shqipëria si këto 8 vite? A është koha për ndryshim?

Bashkë për ndryshim!

Mati fiton!

Klosi fiton!

Dibra fiton!

Shqipëria fiton!

1 96

3 50