Vokshi: Edi Rama, armik i kulturës dhe artistëve, me Bashën nis një epokë e re!

*PROGRAMI PËR ARTIN, KULTURËN DHE TRASHËGIMINË, PREZANTIMI I ALBANA VOKSHIT*

Historitë e shumë vendeve dëshmojnë se qeveritë mund të gabojnë dhe mund të kryejnë faje gjatë drejtimit të tyre, por rasti i Edi Ramës kryeministër, me urdhrin për shembjen e Teatrit Kombëtar për ta zëvendësuar atë me kulla, do të mbahet mend si një krim I rëndë ndaj artit dhe kulturës së një kombi.

Jemi sot pikërisht në këtë vend, ku u krye një prej akteve më barbare politike që ka njohur historia e Shqipërisë pas prishjes së kishave dhe xhamive nga Enver Hoxha.

Shkatërrimi i teatrit me fadroma, në mes të pandemisë, natën dhe nën terror policor përbën dëshminë se në këto 8 vjet, vendi po drejtohet nga një njeri i rrezikshëm, që dhunon popullin e vet, duke i shkatërruar pikat e referimit nga njëra anë dhe duke e varfëruar nga ana tjetër. Nuk ka Edi Rama asnjë qëllim tjetër veç përfitimit personal në historinë e teatrit. Ka dashur gjithmonë ta shembë për të ngritur aty mosntra betoni. Një ministër, siç ishte Edi Rama 20 vjet më parë, i cili lejoi shndërrimin e teatrit në bingo, nuk mund të na gënjejë me projekte 3D, pas të cilave fshihen kullat e pastrimit të parave të korrupsionit.

Veprat dhe jo fjalët, janë ato që masin një njeri. Dhe me vepra, Edi Rama është një armik i kulturës dhe artistëve në Shqipëri. Nuk I hyjnë në punë arti dhe kultura, pasi këto hapësira nuk prodhojnë para dhe nuk mund të jepen me koncesione me leverdi për interesa të tyre.

Të nderuar pjesëmarrës,

ndiej një emocion të veçantë që jemi mbledhur sot pikërisht këtu, në vendin e një rezistence epike shembullore, ku artistët, intelektualë, qytetarë të Tiranës, mbështetës te artit dhe kulturës, të opozitës, kryetari i opozitës z. Basha, deputetë, bënë me javë të tëra ndaj një tempulli që I jepte frymë, motiv dhe ushqim shpirtëror jo vetëm publikut të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë.

Me një mendësi arrogante dhe abuzuese, qeveria e Ramës ka shkaktuar pasoja të rënda në këto 8 vite, në konceptimin dhe zbatimin e politikave kulturore, në menaxhimin militantesk të institucioneve artistike, duke nxjerrë jashtë sistemit, artistët e talentuar, aktorë me përvojë, ekspertët dhe profesionistë me shumë kontribute.

Pas tetë vitesh arti dhe kultura kanë rënë në koma dhe ky fatalitet, jo për shkak të pandemisë, por kryekëput për shkak të një kryeministri arrogant, të korruptuar dhe një krybashkiaku alergjik ndaj identitetit kulturor dhe historik të Tiranës.

Në tetë vite të qeverisë Rama, zyrat dhe institucionet publike nuk ekzistojnë për profesionistët e fushës . Buxhete qesharake janë caktuar për të rinjtë e talentuar, ndërsa janë shpërfillur projektet e artistëve profesionistë, apo edhe dashamirëve të artit.

Me këtë qeveri të dështuar, pas tetë vitesh kemi një inventar dëshpërues të rrënimit të trashëgimisë kulturore si ajo materiale, por dhe ajo shpirtërore.

Monumentet e kulturës, parqet arkeologjike, objektet e kultit, janë dëshmi e braktisjes me shpërfillje dhe arrogance, si dhe politikave anti kombëtare që janë ndjekur nga kjo qeveri. Dëshmi e këtij realiteti braktisë janë ndër të tjera Berati që përmbytet dhe që ka humbur identitet nga betoni, Gjirokastra që po rrëzohet nga dita në ditë dhe që rrezikohet nga çarja e murit të kalasë, Durrësi qe zhduket nga shiu i pare, Butrinti i dhënë me PPP, dhjetëra fshatra që kanë patur jetë kulturore e artistike që nga mesjeta, por që me Rilindjen urbane të fasadave të Ramës janë unifikuar dhe kanë humbur çdo specifikë të stilit në formë dhe në përmbajtje, dhjetëra mozaikë, mure e vendodhje të hershme arkeologjike, ura të vjetra që po shemben, pra thesare të shumta të historisë së civilizimit shqiptar, që Rama dhe qeveria e tij I ka lënë në harresë dhe nuk ka investuar asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e tyre.

Nga ana tjetër promovimi I trashëgimisë kulturore shpirtërore po venitet nga viti në vit, për shkak të indiferencës së burokratëve që nuk promovojnë sa dhe si duhet Shqipërinë, në UNESCO dhe çdo organizatë dhe forum tjetër ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore.

Të nderuar pjesëmarrës

Ajo që na bën bashkë sot këtu, nuk është vetëm sakrifica sublime për të mbrojtur teatrin dhe për ta bërë atë një çështje ndërkombëtare. Këtu jemi bashkë sepse ne do të duhet të bëjmë diçka të madhe shumë shpejt – Të ringrejmë Teatrin Kombëtar siç ishte. Është detyrimi ynë për artistët dhe për qytetarët e Tiranës, është detyrim ndaj identitetit tonë kulturor për brezat e ardhshëm.

Me fillimin e punës së qeverisë Basha një epokë e re do të çelet për të gjithë hapësirat e artit dhe kulturës shqiptare . Ne I konsiderojmë artistët, profesionistët dhe të apasionuarit e hapësirave kulturore si asete të mëdha njerëzore, që mbajnë ndezur shpirtin e kombit dhe janë frymëzimi i rinisë.

Trajtimi I artistëve dhe i njerëzve të kulturës është çështje dinjiteti për një komb. Arti dhe kultura janë pasaporta e identitetit tonë për integrimin europian. Artistët dhe njerëzit e Kulturës janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë.

Dhe shpreh bindjen se ata me ndikimin e ideve dhe mendimeve që përcjellin në publik do ti paraprijnë ndryshimit të madh që shqiptarët po presin me padurim në këto zgjedhje.

Pas 17 ditësh artistët janë të ftuar të marrin një vendim të madh- të bëhen pjesë e ndryshimit dhe votës historike për ta shpëtuar vendin nga ankthi, poshtërimi dhe nënshtrimi i një njeriu të rrezikshëm, që është kthyer si një vrimë e zezë që përpin dhe shkreton gjithçka i del përpara.

Për artistët dhe njerëzit e kulturës më 25 prill është momenti për të dhënë kontributin historik duke votuar një qeveri dhe një kryeministër, si Lulzim Basha, që do ta kenë në krah për të mbajtur të ndezur dritën e shpresës për një Shqipëri më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë!