Kryefamiljari me sëmundje të rëndë, qeveria i shkëput energjinë elektrike, Salianji: Pas 25 prillit gjërat do ndryshojnë

Kandidati për deputet i PD në qarkun e Korçës, Ervin Salianji u takua me një familje në kushte të rënda ekonomike.

Kryefamiljari i diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, kurohet me para të marra borxh ndërkohë që, familjes i kanë ndërprerë energjinë elektrike prej tre muajsh, pasi nuk kanë të ardhura për t’i paguar.

“Kam burrin të sëmurë me kancer në mushkri. Kam dy vjet që i kam bërë kartat e KEMP-it dhe nuk e kam marrë. Tani sa erdha nga spitali, nesër kam për të shkuar prapë në spital. Bën 5 herë insulinën, sa herë që shkojmë në spital ai duhet të ushqehet por çfarë ti jap unë. Pa drita jam pa ngrohje jam. Dritat na i kanë prerë. Unë s’kam të paguaj, vetëm 30 mijë lekë asistencë marr. Me 30 mijë lekë çfarë mund të bëhet? Ja shikoni me qiri. Ilaçet nuk kam me çfarë t’ia marr”, shprehet zonja e shtëpisë.

Apelin për kushtet e rënda ekonomike dhe mungesën e ndihmës nga institucionet shtetërore e shprehu edhe kryefamiljari në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Kam 15 vite i sëmurë. Tani sapo erdha nga spitali. Më thonë hajde nesër, hajde nesër. Unë nuk eci dot as nga këmbët se mi shkatërruar diabeti. Taksi i bëra lekët. Marr borxh që iki në spital me taksi. Pa drita po bëj gati 4-5 muaj.

Salinji premtoi se pas 25 prillit gjendja e kësaj familjeje, por edhe e familjeve të tjera që jetojnë në këto kushte do të ndryshojë.

“I sëmurë edhe pa drita? Ne do tju ndihmojmë. Do vijmë sërish t’ju takojmë këtu në shtëpi. Do ta ndjekim rastin dhe do tju ndihmojmë me kempin dhe me energjinë elektrike. Na mbështesni këtë herë dhe do t’ju ndihmojmë”, u shpreh Salianji.

Në qarkun e Korçës qindra familje jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe pa energji elektrike. Për të gjitha këto kategori në programin e Partisë Demokratike për mirëqenien sociale por edhe për energjinë janë parashikuar pagesa dinjitoze dhe dyfishim të ndihmës ekonomike por edhe një fashë energjie për të gjithë konsumatorët familjarë në këto kushte që plotëson nevojat bazë për një jetesë normale.

s