Mbahen në bug 3 kontrollorët e Rinasit, Aeroporti i rrethuar nga ushtria, asnjë flutrim avionësh

Tre kontrollorëve të aerportit të Rinasit iu është komunikuar masa e arrestit në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku mbahen prej 12 orësh.

3 personat e arrestuar janë Flora Ndreca, Muhir Mezini dhe Armando Fezga.

Akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e shpërdorimit të detyrës.

Këta persona bëjnë me dije burimet, dyshohet se janë organizatorë të situatës në Albcontrol, ku të gjithë kontrollorët njëzëri shpallën paaftësinë e përkohshme për punë.

Avokati i kontrollorëve të trafikut ajrorë, Rezart Kthupi, përmes një prononcimi për mediat më herët tha se akuza për shpërdorim detyre nuk qëndron, pasi kjo akuzë vlen për administratën publike dhe jo për një sh.a që nuk varet nga shteti.

Ndërkohë, punonjësit e aeroportit të Rinasit kanë njoftuar se, udhëtimet në të gjitha shtetet do të nisin ditën e sotme pas orës 17:00.

Paraditen e sotme, në orën 10:00, ishte parashikuar të kishte një fluturim drejt Bergamos, por u anulua. Në kullë nuk ka ende kontrollorë.

Aktualisht në ambientet e aeroportit ka një numër të madh udhëtarësh që presin të fluturojnë në destinacione të ndryshme.