Asnjëherë nuk e kam parë PS-në në Berat më të dëshpëruar se në këto zgjedhje

Nga Namir LAPARDHAJA

Unë e ndjek politikën lokale prej vitesh. Shumë prej protagonistëve i njoh nga afër. Me disa prej tyre kam pasur edhe miqësi, të tjerë i kam intervistuar dhe bashkëbiseduar edhe gjëra që ata i mendojnë, por nuk i artikulojnë publikisht.

Socialistët e thjeshtë e dinë se koha politike e PS-së ka mbaruar.

Është radha për të dalë në opozitë dhe për të reflektuar. Kjo i bën mirë demokracisë, i bën mirë Shqipërisë, i bën mirë PS-së, por i bën mirë edhe socialistëve të thjeshtë, të cilët, duhet thënë e vërteta, kanë qenë të papërfaqësuar nga Rilindja.

Më bëjnë çudi përpjekjet e paskrupullta, kapërcimet dhe akrobacitë politike të njerëzve pa kurrfarë peshe elektorale, të premtimeve të gënjeshtra dhe të shpresës se mund të fitohet kundër Kohës dhe kundër Erës.

Nuk ka matematikë, teori statistikore apo politike që e nxjerr PS-në me 5 mandate në Berat. Pavarësisht çdo përpjekjeje. Të bëjnë ç’të kenë mundësi në këto dy javë që kanë ngelur. Mund të qëndrojnë në 4 mandate (është sistemi që i favorizon për të mos rënë në 3/pa marrë në konsideratë votën masive kundër), por në pesë KURRË.

E gjithë kjo duhet të bëjë që të reflektojnë edhe socialistët e thjeshtë, të cilët nuk kanë parë asnjë të mirë nga pushteti 8-vjeçar, dhe në fund të pyesin: përse gjithë kjo përpjekje? Çfarë ka pushteti që i mban njerëzit kaq të lidhur pas tij? A ia vlen barra qiranë për të sakrifikuar Shtetin për tekat e disave që duan të mbajnë në çdo mënyrë Pushtetin?