Meta reagon për grevën në Rinas: Primare, garantimi i sigurisë ajrore! Qeveria të marrë masa për kërkesat e punonjësve

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ndërprerjes së punës në Rinas nga ana e punonjësve të Albcontrol-it. Përmes një postimi në Facebook, Meta i bëri thirrje punonjësve të mos e ndërpresin punën.

Ai shkruan se, është në sigurinë kombëtare të vazhdohet puna nga kontrollorët.

“Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare”, shkruan Meta.

Meta i bëri thirrje qeverisë dhe Albcontrol-it të marrin masa në lidhje me kërkesat e qytetarëve.

“Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare”, përfundoi ai.