Deklarata e fortë e Bashës: Do gjurmojmë paratë e zyrtarëve të korruptuar me agjenci ndërkombëtare

I ftuar në emisionin “Përballë” në TVSH, lideri demokrat tha se një grusht njerëzish duan ta mbajnë Shqipërinë të lodhur e të pashpresë. Ai deklaroi se do te bëjë gjithçka në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare për të gjurmuar paratë e zyrtarëve të korruptuar.

“Zgjedhjet e 25 prillit i takojnë shqiptarëve. Ka një grusht që duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është, ku është të varfër, të pashpresë, të lodhur, të pavendosur, plot dyshime dhe gati për tu larguar nga vendi, siç tregojnë sondazhet 70 shqiptarë po t’ju jepet mundësia e lënë Shqipërinë. 95 në 100 studentë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri.

Kjo është status cuo-ja që ju leverdis një grupi njerëzish, të cilët sot e konsiderojnë veten e tyre zot të gjithçkaje, të naftës, të bregdetit, të buxhetit, të tenderëve, të tokave, të pyjeve, të kullotave, të gjuetisë, të peshkut, të mishit, të eksportit, të importit. Pra një grusht njerëzish, një pakicë absolute kërcënon se do të marrë peng edhe katër vjet të tjera Shqipërinë dhe simbol i kësaj është një njeri që katër vite me radhë ka patur pushtet më shumë se çdokush në këto 30 vite, madje se çdokush që në kohen e Enver Hoxha dhe sot nuk ka një bilanc për të dalë para shqiptarëve.

Bredh nga jugu në veri, merret gjithë ditën me opozitën, merret me programin tonë, merret me mua personalisht, çfarë kam veshur, si jam veshur, sa piper i hedh gjellës vetëm e vetëm mos t’i japi përgjigje të vetmes pyetje që duhet t’i jepte përgjigje pas 8 vjetësh kryeministër. Çfarë bëre me programet, me planet dhe me premtimet e tua? Ku i ke 300 mijë vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ta zbuloi pandemia se në çfarë gjendje është .Ku e ke uljen e taksave për 97% të shqiptarëve?

Dhe shumë e shumë premtime të tjera se nuk kam ndër mend të zgjatem. Për ta kolauduar, është fare e qartë se zgjedhjet janë të shqiptarëve dhe zgjidhjet do të jenë për shqiptarët. Zgjedhja është fare e qartë, të qëndrojmë edhe 4 vite kështu siç jemi, që është fatale për ne, është fatale për rrugëtimin tonë drejt Europës që në fakt është garancia e vetme për një stabilitet ekonomik, financiar dhe demokratik të vendit dhe të familjeve shqiptare. Dhe rruga e vetme për të ndryshuar është largimi i Edi Ramës. Nuk mund të ndryshojë Shqipëria dhe këtë e di tashmë edhe kupola më e lartë socialiste. Pa u larguar Edi Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë as idenë më të vogël që do të ndryshojë diçka, gjërat do të mbeten siç janë dhe do të shkojnë më keq për shqiptarët.”, tha Basha.