Bashkia Berat shkel ligjin e barazisë në tendera

Nga Tomor ALIZOTI

Në mungesë të funksionimit të institucioneve të pavarura të hetimit, bashkia Berat shkel ligjin në procedurat e saj kontraktuale.

Të fshehur pas propagandës dhe imazheve në 3D, tenderat e periudhës së fushatës nuk i nënshtrohen procedurave të rregullta ligjore, duke lënë vend për abuzime.

Më konkretisht, gjatë periudhës prill 2020-mars 2021, Open Data ka vendosur me flamur të kuq plot dhjetë procedura të këtij institucioni. Shkak është mungesa e konkurrencës dhe skualifikimi i konkurrentëve, duke lënë në garë vetëm fituesin.

Nga analiza e të dhënave, rezulton se mungesa e konkurrencës del në 7 prej këtyre procedurave, ku negocimi ka qenë i drejtpërdrejtë, ndërsa në 3 procedura të tjera janë skualifikuar të gjithë konkurrentët përveç fituesit të tenderit.

Qytetarët e Beratit duhet të dinë se investimet që realizohen janë nga lekët e taksave të tyre. Ligji kërkon që prokurimet të bëhen në mënyrë ligjore, larg sjelljes abuzive dhe larg shkeljes së barazisë në tendera.

Problemi është se këto procedura realizohen në ngut e sipër, në periudhë ku të gjithë e kanë mendjen të kapin ç’të kapin, sepse pushteti ka rënë, dhe askush nuk e ka mendjen tek vjedhjet dhe abuzimet e tyre.

Ne jemi të vendosur të monitorojmë dhe të kërkojmë zbatueshmëri të ligjit në të gjitha procedurat e njësive vendore në qarkun Berat.

Do të monitorojmë, denoncojmë dhe do të çojmë për procedim çdo shkelje dhe shkelës!