E ardhmja ka fytyrën e tyre!

Nga Bujar LESKAJ

“Të rinjtë janë shpresa, energjia dhe frymëzimi për të triumfuar mbi çdo pengesë e sfidë që kemi përpara. Të rinjtë janë detyrimi për të luftuar për një të ardhme më të mirë. Sa më shumë mundësi për të rinjtë, aq më e mirë do të jetë e nesërmja. Krenar për FRPD dega Selenicë, krenar për të rinjtë dhe të rejat e mrekullueshme vlonjate.”

30 vite më parë, politika ishte pronë e një pushteti të pashpirt, pronë e një pushteti të pafytyrë. Por studentët e Dhjetorit ‘90 dhe rinia, besuan se politika është një mundësi për ta ndryshuar Shqipërinë dhe guxuan. Besuan se politika është një mundësi për të rrëzuar një pushtet kriminal dhe e realizuan.

Edhe sot, 30 vite më pas, shqiptarët dhe rinia përballë kanë një pushtet po aq të pashpirt, që nuk e ndjen vuajtjen që shkakton dhe po aq të pafytyrë, sa nuk turpërohet nga marrëzia e tij. Sot, rinia shqiptare gjendet përballë një qeverie që këtu e 8 vite po vret shpresën e shqiptarëve, shpresën e të rinjve. Është kjo qeveri largon rininë nga vendi, që i detyron të rinjtë të enden rrugëve të Europës dhe nga ana tjetër me cinizën tallet me këtë hemoragji, duke sjellë si alternativë sjelljen e pakistanezëve apo afrikanëve në Shqipëri!

Të rinjtë demokratë, janë po aq të vendosur sa ç’ishin studentët 30 vite më parë të largojnë një qeveri që dhunon të rinjtë, u vret shpresën e të ardhmen.

Në muajin shkurt u riorganizua dega e FRPD Selenicë me zgjedhjen e kryetarit të ri, z. Krenar Shoraj, nënkryetarëve Gëzim Hysenaj, Qerim Hodaj dhe sekretarit Enrik Imamaj. Shumë shpejt entusiazmi ia la vendin një pune të vrullshme në mbështetje të fushatës së PD për zgjedhjet e 25 prillit.

Brenda një kohe shumë të shkurtër radhët e tyre u shtuan me dhjetëra të rinj e të reja energjikë, me dëshira, ëndrra e vizion për një Shqipëri normale, për një Shqipëri të jetueshme.

Shumë shpejt në të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës FRPD Selenicë zhvilloi takime jo vetëm me të rinjtë, por edhe me të gjithë ata banorë, të cilët besojnë tek Partia Demokratike, e cila lindi si parti e lirisë, e vlerave demokratike, qëndron e tillë sot dhe e tillë do të mbetet përjetë.

Edhe në këtë proces, të rinjtë demokratë të FRPD Selenicë dëshmuan se janë ndryshe, se bazohen tek vlerat, parimet dhe standardet demokratike.

Të rinjtë dhe të rejat e Selenicës dhe Lumit të Vlorës u vendosën në ballë të fushatës për të garantuar një rezultat spektakolar në këto zgjedhje. Takimet derë më derë, përcjellja e programit të PD tek të gjithë banorët e zonës; organizimi i shumë takimeve me kandidatët për deputetë dhe jo vetëm, janë vetëm disa nga veprimtaritë e këtij forumi.

Por kulmimin aktiviteti i FRPD Selenicë do ta arrinte me organizimin në një kohë shumë të shkurtër të asaj që do ta quaja “Marshimi i Fitores”, marshim që e pati pikënisjen nga Selenica, stacionin tjetër në monumentin e Drashovicës, simbol i dy luftërave, në Vajzën e poetit të madh Ali Asllani, për t’u kulmuar në Amantian e lashtë.

Qindra të rinj e të reja në Amantian e lashtë, të cilët njësoj si bashkëmoshatarët e tyre 30 vite më parë kishin në sy shpresën, gëzimin, besimin për NDRYSHIM teksa dëgjonin deputetët e ardhshëm, Gëzim Ademaj, Arbi Agalliu, Nada Meçorapaj, Atird Hoxha, Alta Haluci, valëvisnin flamujtë dhe thërrisnin si atëherë: “Liri- Demokraci”!

Dhe ky marshim i të rinjve selenicarë, pjesëmarrja e tyre e jashtëzakonshme ishte një rrugëtim simbolik e me shumë mesazhe.

Me mesazhin që Vlora është sinjali dhe siguria se fitorja është afër.

Se Vlora është shembulli i Lirisë dhe Prijësja e fitores!

Me mesazhin që rinia do zhvillimin, progresin që përfaqëson Partia Demokratike.

Sado i ashpër të jetë një regjim, Vlora reagon!

Sado arrogant të jetë një regjim, Vlora fiton!

Sado të kërcasë dhëmbët sekti Rama, Vlora dhe të rinjtë e saj e përmbysin!

Vlora di të fitojë ndaj së keqes dhe më 25 Prill Vlora nuk do ta lejojë fyerjen, nëpërkëmbjen.

Ata qindra të rinj e të reja të Selenicës e fshatrave të Lumit të Vlorës që u bashkuan në “Marshimin e Fitores” janë garancia e së nesërmes. Janë modeli i ri i një rruge të re, e cila ofron shpresë, ofron punë, zhvillim dhe integrim. Dhe kjo rrugë përkon me rikthimin në 26 prill të Partisë Demokratike në drejtimin e Shqipërisë.

Kjo rrugë nis me pjesëmarrjen sa më të madhe të të rinjve në proceset dhe ardhmërinë e vendit.

Rinia e Lumit të Vlorës e ka mundësinë që me 25 prill të dëshmojë se nuk pranon dhe nuk do të lejojë më të jetë një brez i humbur. Vota e tyre do të jetë ndëshkimi për ata që u kanë marrë peng të ardhmen dhe vota e shpresës me të cilën do të fitojë çdo shqiptar.

Me ndihmën e tyre Shqipëria do të fitojë!

lll