Qëlluan me armë në ditëlindjen e shefes në orarin e punës, kthehen në detyrë efektivët e pezulluar

Katër punonjësit e policisë të forcës së posaçme “Shqiponja” në Policinë e Lezhës, janë rikthyer në detyrë pas pezullimit që morën disa ditë më parë pasi festuan ditëlindjen e shefes së tyre duke qëlluar me armë e fishekzjarre.

Sipas burimeve, inspektorët me iniciale R. P., Xh. N., A. Sh. dhe R. M. janë larguar nga forcat “Shqiponja”, duke u transferuar në komisariatet e policisë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Ata do të qëndrojnë në këtë detyrë deri në përfundim të hetimeve nga Prokuroria e Lezhës.

Gjithashtu, edhe strukturat e SHÇBA-së kanë filluar procedimin penal për këta punonjës, ndërkohë ndaj tyre ka nisur dhe hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore “Sjellje e rëndë diskretituese”. Katër policët u shfaqën në një video, duke festuar ditëlindjen e shefes së tyre në orarin e punës, madje duke qëlluar dhe me armë zjarri.