Fratari – një dinasti që ringjallet brez pas brezi

Nga Lediana FRATARI

Të shkruash historinë e familjes Fratari, është një punë e mirëfilltë studimore dhe ta përmbledhesh atë në pak rreshta, është gati e pamundur. Familja Fratari është pa asnjë diskutim një dinasti, me kontribute patriotike që kanë lënë gjurmë në themelet historisë së Shqipërisë.

Hajredin Rauf Fratari, është sot një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend. Dhe, po kaq i madh, është edhe në përmasat humane. Një nga ata që vuajti persekutimin e egër dhe të gjatë të regjimit komunist, në burgje dhe në internime.

Por kush janë paraardhësit e tij?

Gjyshi i tij është Hajredin Rakip Fratari, i cili lindi në Fratar të Mallakastrës, në vitin 1880. Ashtu si i ati, që ishte diplomuar për drejtësi, në Universitetin e Stambollit, Turqi, edhe Hajredini ndoqi studimet e larta në Universitetin e Hylqies, në Stamboll. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit. Ishte pjesë e Kuvendit të Junikut në Kosovë, si përfaqësues i Beratit dhe Mallakastrës. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një ndër 33 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912. Me pas edhe funksionar i qeverive provizore të Ismail Qemalit e më vonë të Princ Vidit. Në maj të vitit 1914, Hajredin Rakip Fratari u vra nga rrebelët e Haxhi Qamilit, që kundërshtonin ndarjen e Shqipërisë nga Turqia. Në 1928 Mbretëria Shqiptare e shpalli Hajredin Fratarin “Dëshmor të Kombit”. Në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Hajredin Fratari, u shpall Dëshmor i Atdheut. Në 2002, u dekorua nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Në 2003, Këshilli i Ministrave e shpalli “Dëshmor i Atdheut”.

Edhe gjyshja e tij, Sabire Fratari, vinte nga një tjetër dinasti. Ajo ishte mbesa e poetit kombëtar, Naim Frashëri dhe kishte studiuar në Shkollën ”Robert College”, në Stamboll, Turqi. Edhe gjyshërit nga nëna vinin nga familje të mëdha, të shkolluara dhe me kontribut atdhetar.

Nëna e tij, Ganimete Fratari (Gjilani), është nga Kosova. Ajo ka mbaruar studimet në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”, Tiranë.

Ndërsa babai, Rauf Hajredin Fratari, gjatë viteve 1923-1927 mbaroi Shkollën e Mesme Ushtarake në Modena të Italisë. 1929-1933, vazhdoi studimet në Romë në Akademinë Mbretërore në degën e Kavalerisë dhe në periudhën 1935-1939, shërbeu si ushtarak i lartë me gradën “Major”, pranë Gardës Mbretërore të Zogut. Mori pjesë në Luftën Antifashiste N-Ç. Ka qenë delegat në Konferencën e Pezës, në shtator të vitit 1942 si dhe delegat në Konferencën e Mukjes, në shtator të vitit 1943. Ai krijoi batalionin “Hajredin Fratari”, i cili më pas u njoh me emrin Çeta Plakë e Mallakastrës, duke qenë edhe komandant i saj.

Më 27 nëntor 1944, kur ishte përcaktuar tashmë fati i Shqipërisë, ai iku nga Shqipëria për shkak të pikëpamjeve të kundërta me komunistët. Raufi u vendos në Itali, ku pasi mori azilin politik, u zhvendos në SHBA. Në vitin 1973 u vra pabesisht nga njerëz të paguar nga Sigurimi i Shtetit.

Kur iku, Raufi la në Shqipëri të shoqen me dy fëmijët e vegjël 2 dhe 4 vjeç, Hajredinin dhe Sabirenë, që nuk e panë asnjëherë babanë e tyre. Dy fëmijët e vegjel do të rriteshin si fëmijët e një armiku të komunizmit dhe do të vuanin internime të gjata.

Sot, familja e z. Hajredin Rauf Fratarit përbëhet nga gruaja e tij, znj. Violeta Fratari (Shallo), vajza Lediana dhe djali Raufi.

E shoqja, Violeta Fratari, ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega fizikë.

E bija, Lediana Hajredin Fratari, ka mbaruar shkollën fillore në Itali dhe studimet e larta në Fakultetin Politik të Universitetit “Queen Mary”, Londër, Angli.

I biri, z. Rauf Hajredin Fratari, ka mbaruar shkollën fillore në Itali dhe studimet e larta në degën Ekonomi Biznes, të Universitetit “Royal Halloëay” Londër, Angli.

Familja Fratari nuk heq dorë nga “ringjallja” e paraardhësve të saj, duke trashëguar me fanatizën edhe emrat e të parëve të tyre.

Foto 1: Ganimet (Gjilani) Fratari me të shoqin, majorin Rauf Fratari
Foto 2: Majori Rauf Fratari me familjen, gruan Ganimeten, vajzën Sabiren dhe djalin Hajredinin
Foto 3: Familja Fratari, Ganimete Fratari, vajza Sabire Fratari (Halili) dhe djali Hajredin Fratari (I Riu)

1 13

2 13

3 7