Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fino/ Basha anulon takimet elektorale për ditën e sotme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka anuluar axhendën e ditës së sotme të fushatës elektorale në qytetin e Fierit. Vendimi i Bashës ka ardhur në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta të parakohshme të ish-kryeministrit dhe ish-deputetit të PS, Bashkim Fino.

Basha kishte parashikuar të zhvillonte një takim elektoral në Fier këtë të hënë, por është kthyer nga rruga duke e anuluar aktivitetin e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

“Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD.