Drejtuesi politik i qarkut Kukës, Hoxha: Brenda dy viteve zgjidhim problemin e tokave të përmbytyra nga H/C i Fierzës

Drejtuesi politik i qarkut Kukës Flamur Hoxha ka zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqatës së familjeve të zonave të përmbytura nga H/C i Fierzës. Kreu i shoqatës Sherif Kastrati kërkoi zgjidhjen e munguar prej 30 vjetësh për qeranë e munguar të tokës, si dhe rentën energjitike.

Edhe përfaqësues të tjerë të shoqatës i thanë kandidatit Hoxha se kanë besim të PD dhe kryeministri i ardhshëm Basha, pasi vetë Basha ka premtuar më herët se me ardhjen e PD në pushtet problemi i përmbytjes do të marrë zgjidhje. Përfaqësuesit e shoqatës u shprehën se do ta mbështesin fuqishëm PD dhe kandidatët e saj.

Nga ana e tij drejtuesi politik i qarkut Kukës Flamur Hoxha u premtoi atyre përkushtimin e vet për një zgjidhje përfundimtare duke përmendur ndër të tjera edhe rentën energjetike, ashtu siç është renta minerare, sepse përderisa lumenjtë e Kukësit sjellin kaq shumë të ardhura financiare, komuniteti duhet të dëmshpërblehet në vazhdimësi për dëmin ekonomik që u është shkaktuar duke i zënë pjesën më produktive të territorit.

‘Shpreh angazhimin tim personal për mbështetjen e tyre në parlament dhe të qeverisë Basha për një zgjidhje përfundimtare me ligj njëherë e përgjithmonë të këtij problemi të mbartur ndër vite, brenda dy viteve të para të qeverisë Basha’ tha zoti Hoxha.