Zjarri në qendrën tregtare/ Përse po fshihet numri i personave të zhdukur, mes tyre një 17-vjeçar

Të tjera detaje të rënda dalin në dritë nga zjarri në qendrën tregtare, ku një godinë që prej mesditës së djeshme është përfshirë nga flakët. Gazetarja Anila Ahmataj në një lidhje live për ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’, dyshohet se ka 3 persona të zhdukur.

Sipas saj përveç shefit të sigurisë, Arjan Sala dhe një 17-vjeçari, dyshohet për një tjetër person. Deri më tani policia nuk ka dhënë informacione zyrtare në lidhje me numrin e saktë të personave të zhdukur.

Një denoncim i fortë është bërë sot në emisionin “Me zemër të hapur’ në ‘News24’, ku thuhet se brenda qendrës tregtare që u përfshi nga flakët është dhe një 17-vjeçar.

Ky fakt u bë i ditur në një lidhje direkte nga gazetarja Anila Ahmataj, e cila kishte biseduar me një familjarin e të riut të zhdukur. Kushëriri i 17-vjeçarit kishte pohuar se ai ishte duke shkarkuar mallin kur godina u përfshi nga flakët, ndërsa nuk kanë mundur që të komunikojnë me të.

Ndërkohë që përgjegjësi i këtij biznesi ka pohuar krejt të kundërtën, pasi në listat e tij nuk figuronte emri i 17-vjeçarit. Kujtojmë se në godinë ndodhet shefi i sigurisë, Arjan Sala.