Instituti “IFIMES”: Vetëm me Lulzim Bashën kryeministër mund të futet Shqipëria në BE

Instituti i njohur slloven ‘IFIMES’ ka bërë një profil të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, në një kohë kur sot çelet zyrtarisht edhe fushata elektorale. Ky institut thekson se ai është lideri që mund ta fusë Shqipërinë në Europë.

Instituti vlerëson figurën e Bashës, duke përmendur si arritje të tij politike anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave.

“Lulzim Basha është gjenerata e dytë e udhëheqësve në Shqipëri. Nga njëra anë, ai është një njeri i familjes që është në komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe zhvillon takime të përditshme me banorët dhe qytetarët, pronarë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ai është plotësisht i arritshëm dhe në shërbim të çdo qytetari dhe dyert e tij janë të hapura për këdo që kërkon ndihmën e tij.”, thuhet në shkrimin e institutit slloven.

Mes të tjerash aty shkruhet se: “Nga ana tjetër, Basha mban një rrjet të gjerë të lidhjeve personale me udhëheqësit e BE dhe krerët e shteteve evropiane, të cilët flasin me të rregullisht. Ata këshillohen dhe diskutojnë me të “ditën pas”, e cila është dita pasi Edi Rama të lërë detyrën. Përparimi politik i Shqipërisë është bllokuar pas tetë vitesh sundimi autoritar, duke vonuar pranimin në BE dhe Basha, i cili futi Shqipërinë në NATO dhe arriti një marrëveshje pa viza, beson se ai ka forcën për ta sjellë Shqipërinë në anëtarësimin e plotë në BE. Për më tepër, Basha ka një karrierë politike të patëmetë, pa asnjë krim dhe korrupsion.”.