Incident në Kombëtaren e Kosovës

Policia e Kosovës i ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me raportimet në media për gjoja një përleshje fizike në ekipin kombëtar të Kosovës mes portierit Arijanet Muric dhe anësorit Edon Zhegrova.

Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Florie Ahmeti, ka konfirmuar për Gazetën Express se nuk ka gjetur prova për të hapur ndonjë rast në lidhje me këtë incident.

“Pas raportimeve të mediave, Policia e Kosovës ka kontaktuar personat kompetent të hotelit si dhe menaxherin e përfaqësueses dhe ka rezultuar se nuk ka pas elemente për inicim të ndonjë rasti”, tha Ahmeti për Express.

Portieri i parë i Kombëtares, Muric, u përjashtua të martën prej kampit dardan për ndeshjet e këtij muaji nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Në një komunikatë për media, organi qeverisës i futbollit të vend e njoftoi se i kishte përjashtuar portierin e klubit holandez Willem II për, siç tha, arsye disiplinore.

Por në media u raportua bujshëm për një përleshje fizike mes tij dhe yllit të llastuar të ekipit kombëtar, sulmuesit të Baselit Zhegrova. Po ashtu, në disa media të tjera lokale u raportua se Muric kishte shkuar në gjendje të dehur në hotelin ku po qëndronte kampi verdhekaltër.

Kjo e ka shtyrë policinë t’i marrë në pyetje disa persona, përfshirë zyrtarët e hotelit ku është e vendosur Kombëtarja dhe menaxherin e ekipit kombëtar të Kosovës.

Në mungesë të dëshmive për ndonjë përleshje fizike, policia nuk do të hapë rast për këtë incident.

Sidoqoftë, Muric i ishte tërhequr vëmendja për mungesë disipline në Kombëtare edhe në të kaluarën, por pavarësisht incident, ai kishte shpëtuar pa u lagur në atë botë.

Në tetorin e kaluar, 22-vjeçari nga Mali i Zi i theu rregullat e karantinës kur u fotografua me një vajzë në hotelin e ekipit kombëtar.

Mungesa e disiplinës i ka kushtuar atij edhe me ndërrim ekipi shpesh herë në dy vitet e fundit. Që prej vitit 2019, Muric, i cili është në pronësi të Manchester City, kaloi kohë i huazuar në Nottingham Forest, Girona dhe tani Willen II, duke dështuar të bindë.

Ky incident ndodhi në kohë të papërshtatshme, pasi Kosova do ta nisë një fushatë të re, të dytën në historinë e Kombëtares për Kupën e Botës, këtë fundjavë si nikoqire e Suedisë në Prishtinë.