Eurostat: 5 mijë kërkesa për azil nga shqiptarët edhe në vitin e pandemisë

Ndonëse 2020-a ishte një vit, kur udhëtimet u bllokuan që nga mesi i muajit mars, shtetasit shqiptarë e kanë gjetur sërish rrugën për të ikur në Europë dhe për të kërkuar azil.

Eurostat raportoi sot se ka pasur mbi 5 mijë kërkesa për azil për herë të parë nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian dhe Zvicër. Në krahasim me një vit më parë, kërkesat kanë rënë me rreth 70%, si rrjedhojë e kufizimeve të krijuara nga pandemia.

Franca vijon të mbetet shteti më i preferuar i shqiptarëve për të kërkuar azil, për shkak të trajtimit më të mirë social që u bëhen emigrantëve. Në total, janë rreth 2 mijë aplikime nga shtetasit shqiptarë për azil në Francë, ose 39% e totalit. Në krahasim me një vit parë, aplikimet janë tkurrur me 76%.

Greqia është shteti i dytë i BE-së që pret më shumë aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë, me rreth 1 mijë, ose 20% të totalit. Më pas renditet Gjermania me 16% të totalit; Italia, me 9%, Belgjika me 5.3%.

Suedia është një tjetër destinacion, ku shqiptarët provojnë që të aplikojnë për të marrë dokumente si azilantë (190 aplikime, ose 4% e totalit).

Irlanda është një tjetër vend që ka zgjuar interesin dy vitet e fundit, me 40 aplikime në 2020-n.

Në të gjithë botën, Shqipëria renditet e 23-ta për numrin e kërkesave për azil, por duke qenë se popullsia e saj është e ulët, në raport me popullsinë, klasifikohemi të dytët pas Sirisë. Ndërsa në Ballkan mbetet e para në vlerë absolute.

Lexo edhe këtë: Edhe në pandemi, shqiptarët të dytët në botë për azil në BE, në raport me popullsinë, për 2020-n

Për 2020-n mungojnë të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar (tashmë të dalë nga BE), ku në 2019-n kishte 3,900 aplikime. Ndërsa në Zvicër kishte 45 aplikime, nga 130 në 2019-n.

Aplikimet për azil

Eurostat raporton se në vitin 2020, 416 600 aplikantë për herë të parë të azilit aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, me rënie me 34% krahasuar me 2019 (631 300) dhe me 21% krahasuar me nivelin e regjistruar në 2014 (530 600), para kulmeve të 2015 dhe 2016.

Sirianët, Afganët, Venezuelët dhe Kolumbianët paraqitën më shumë kërkesa për azil, duke përbërë së bashku 40% të të gjithë aplikuesve të parë në Shtetet Anëtare të BE në 2020.

Sirianët (63 500 aplikantë për herë të parë, ose 15% e numrit të përgjithshëm të aplikantëve për herë të parë) ishte shtetësia kryesore e azilkërkuesve në Shtetet Anëtare të BE, duke vazhduar trendin e vërejtur që nga viti 2013. Mbi gjysma e Sirianëve paraqitën kërkesën e tyre ne Gjermani.

Afganët (44 200, ose 11% e totalit të BE-së) ishte shtetësia e dytë kryesore për të tretin vit radhazi. Rreth një e katërta e të gjitha kërkesave afgane u paraqitën në Greqi dhe Francë secila.

Shtetasit e Venezuelës (30 300, 7% e totalit të BE-së) u renditën të tretët. Mbi 90% e shtetasve të Venezuelës kërkuan azil në Spanjë. Venezuelianët u ndoqën nga afër nga kolumbianët (29 100 aplikantë për herë të parë, 7% të totalit të BE), gjithashtu me më shumë se 90% të aplikacioneve në Spanjë.

Me 102 500 aplikantë për herë të parë të regjistruar në vitin 2020, Gjermania përbënte një të katërtën e të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE. Ajo u pasua nga afër nga Spanja (86 400, ose 21%) dhe Franca (81 800, ose 20%), përpara Greqisë (37 900, ose 9%) dhe Italisë (21 200, ose 5%). Këto pesë shtete anëtare së bashku përbënin 80% të të gjithë aplikuesve për herë të parë në BE.