Bardhi: Pas 25 prillit, referendum për ndarjen administrative

Elbasan, fshati në mjerim dhe i braktisur, Gazment Bardhi: Pas 25 prillit, subvencion sipas prodhimit, referendum per ndarje të re administrative

Në Floq në njësinë administrative Klos të Cërrikut, banorët janë punëtorë të palodhur dhe nxjerrim maksimumin nga mundi e djersa e tyre. Mirëpo të braktisur totalisht nga qeveria, pa rrugë, pa kanale vaditëse, pa shkollë, pa qendër shëndetësore, pa pikë grumbullimi për shitje, ata nuk ja dalin dot.

“Jam i bindur që Kryetari i Bashkisë nuk ka ardhur ndonjëherë këtu”, u shpreh Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, gjatë një takimi me banorët.
“Fondet e subvencioneve kanë shkuar në 5 duar. Njerëzit, fermerët janë përballur me burokraci e kërkesa pa fund thjesht për t’i penguar. A mund të thotë dikush, kush ka marrë 1 euro nga fondi 100 milionë euro që ai (Rama) thotë se ka shpërndarë vitin e kaluar”, pyet Bardhi.
Banorët thonë se nuk i kanë parë as në ëndërr, dhe shtojnë se ato para i kanë marrë ata vetë.

“S’duhet të diskutonim sot për rrugë. Duhej të ishin bërë rrugët, dhe subvencionimi do të duhej të funksiononte vetë. Ne kemi një plan, një zgjidhje konkrete, që secili do të marrë për aq sa prodhon, pa shkresa e letra, vetëm me kartën e identitetit”, shtoi Bardhi.

Zona njihet për prodhimin e rakisë mjaft cilësore, një traditë 30 vjeçare tashmë. Banorët thonë se nuk e shesin dot dhe nuk e përballojnë dot konkurencën me fqinjët, pasi kostot janë shumë të larta, nuk ka infrastrukturë dhe nuk ka pikë shitje. Dhe, asnjë mbështetje nga qeveria. Ata ankohen se procedurat e aplikimit për fonde janë shumë të komplikuara dhe kërkojnë dokumentacion që shpesh nuk e kanë.

“Ne e kemi prioritet të 4 viteve të para nxjerrjen e fshatit nga mjerimi. Nuk ka arsye që dikush që banon në fshat të jetë i varfër. Nëse ju do të keni rrugë, kanale vaditëse, dhe subvencione mbi bazën e prodhimit, ju nuk ja keni nevojën askujt”, u shpreh Bardhi.

Për të kuptuar se sa të braktisur janë banorët këtu, dhe sa e dështuar ka qënë ndarja territoriale, mjafton të shohësh shkollën kryesore 9 vjeçare të kësaj njësie, Rushan Xhuvani.

Pa dritare, pa izolim, pa ngrohje. Klasat mblidhen shumë rrallë dhe me krejt pak nxënës, të cilët kanë të pamundur të edukohen në kushte të tilla.