Albin Kurti: Tani të zgjedhim Vjosa Osmanin, Presidente të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka ngelur hapi i tretë për konstituimin e institucioneve që është zgjedhja e Presidentes së vendit, ndërkaq theksoi se sa më parë do ta marrë detyrën si kryeministër i vendit.

Kurti pas përfundimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së re, para medieve tha se sa më shpejt që të zgjidhet presidente Vjosa Osmani, aq më mirë është për të gjithë, duke qenë se siç tha ai vendi është në krizë të shumëfishtë.

“Kosova është në një krizë të shumëfishtë, nuk besoj që kemi nevojë edhe për një krizë më shumë. Më së miri do të ishte të dalim nga këto kriza. Sa më parë që arrijmë ta thirrim seancën e radhës, pas zëvendësimit të deputetëve që u zgjodhën ministra dhe ta zgjedhim presidenten zonjën Vjosa Osmani aq më mirë për të gjithë. Unë do ta marrë detyrën një orë e më parë, sepse nuk kemi kohë për të humbur, andaj besoj se do të merren të gjitha aranzhimet teknike që nesër paradite ta marr detyrën”, u shpreh Kurti para medieve.