“Misioni im”/ Mesazhi i veçantë që Lulzim Basha i jep të gjithë shqiptarëve në librin e tij të parë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka botuar librin e tij të parë, një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Libri i kryedemokratit titullohet “Misioni im”, ndërsa brenda ka dhe një mesazh për shqiptarët.

Kopertina e librit mban foton e kryedemokratit Basha, emri i tij i shkruar me shkronja kapitale të bardha, ndërsa titulli i librit i shkruar me shkronja kapitale me ngjyra të kuqe.

“Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve. Në të qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presionit politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë të bëjnë. Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuuesit e vyer në rajon dhe në Europë”, thuhet në mesazhin e kryedemokratit në libër.

Libri prej 100 faqesh është i ndarë në 10 kapituj kryesor, të cilët kryedemokrati i ka titulluar:

Politika për mua,
Partia demokratike dje, sot dhe nesër –“Partia më e bukur e Lindjes”,
Rithemelimi i opozitarizmit,
Urgjenca e normalizimit,
Shtet i vogël dhe efiçent,
Zgjimi ekonomik shqiptar,
Demokraci dhe liri ekonomike me dimension human,
Familja e ardhmja e mbijetesës shqiptare,
Në borxh me kulturën,
Kosova gjysma tjetër