Berisha: Shqiptarët do të largojnë Ramën nga politika, dhe jo vetëm nga politika…

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar presidentin Ilir Meta dhe ish-presidentin Sali Berisha një çift politik që synojnë mandatin e pestë përmes kryedemokratit Lulzim Basha. Por si i cilëson Berisha këto deklarata?

Në një intervistë me gazetaren Juli Xhokaxhi në ABC, Berisha deklaroi se me Metën është konsultuar vetëm si ish-president, duke i cilësuar aktet e tij në favor të mbrojtjes së Kushtetutës dhe jo të fushatës elektorale, sikurse thotë kryeministri Rama.

“Unë në raport me Edi Ramën dhe çdo zyrtar apo drejtues jam thjesht qytetar. Edi Rama do largohet nga politika dhe jo vetëm nga politika dhe në ditët e fundit të jetës së tij do vuajë kompleksin e Sali Berishës. Tani për Ramën mund të themi “Rahmet pastë” dhe jo në politikë.

Ai nuk çlirohet dot nga kompleksi Sali Berisha. Ilir Meta si president për probleme të kushtetuetshmërisë ka pasur raste kur është konsultuar me mua si një ish president për probleme të kushtetuteshmërisë së vendit, por asnjë problem tjetër.

Veprimet e tij kanë lidhje me mbrojtjen e Kushtetutës dhe jo me fushatën elektorale siç thotë Edi Rama. Unë mendoj se Ilir Meta në këtë situatë politike dramatike po stërvepërmbahet. Me katastrofën që krijoi Edi Rama me pandeminë duhet të studionte me mikroskop Kushtetutën për shkarkimin e Edi Ramës”, tha Berisha.