Falimentime me pasoja dramatike tek fasonët e tekstileve dhe këpucëve, po mbyllen 200 vende pune në javë

Tekstilet e këpucët paralajmërojnë falimente, mbyllen 200 vende pune në javë

Sektori që po shfaq më shumë vështirësi është ai i tekstile e këpucëve. Shitjet e këtij grupi ranë me 18.5% në shkurt, ndërsa për 2 mujorin tkurrja është 11.8%. Eksportuesit pohojnë se ata janë në vështirësi të mëdha, për shkak të rënies së kërkesës nga partnerët e huaj, pas karantinave të reja që janë zbatuar nga shumë shtete muajt e fundit.

Nëse situata vijon e tillë, eksportuesit pohojnë se nëse situata vijon e tillë, ata do të mbyllin aktivitetet dhe shkurtojnë punonjësit. “Po bëjmë llogaritë tona edhe ne dhe ndoshta për dy muaj do të na duhet të mbyllim kompaninë pra për prillin dhe majin. Shumë kolegë të mitë që punojnë në të njëjtin sektor janë në vështirësi. Një pjesë kanë falimentuar. Nuk bëhet më fjalë për kompani të vogla që u prekën që në fillim. Janë biznese të mëdha në aspektin e numrit të punonjësve që kanë. Një grup tjetër po përpiqet të mbijetojë duke bërë shkurtime. Ka kompani që kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës me qindra punonjës. Kanë muaj e muaj të tëra që presin se mos situate ndryshon e po përmirësohet diçka në tregjet jashtë por nuk ka asnjë avancim. E vetmja që po vazhdon me porosinë dhe kontratat është këpuca e punës. Pjesa që nuk punojnë me këtë produkt kanë marrë masa ose me shkurtime ose mbyllje fabrikë”, tha Skënder Pashaj nga FITAL që ka 1050 punëtorë.

Grupi i tekstileve dhe këpucëve zë peshën kryesore të eksporteve në vend. Për 2 mujorin, ai zinte 36% të totalit, nga 42% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky sektor është dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj, me mbi 60 mijë të punësuar, sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT.

Florian Zeka përfaqësuesi i Shoqatës Pro Eksport-Albania tha për Monitor se përkeqësimi i situatës ishte paralajmëruar që në muajin qershor të vitit të kaluar.

“Rënia e eksporteve vjen për shkak të lockdown në vendet ku ne eksportojmë veshjet dhe këpucët. Për shkak të krizës nga Covid-19 për herë të parë në këto 30 vjet prodhimi i veshjeve të punës ka shënuar rënie drastike, në disa ndërmarrje të tjera është mbyllur prodhimi. Kjo ka ardhur pasi fabrikat që kërkonin veshje pune në Itali, Gjermani, Francë dhe Angli janë mbyllur. Sektori i veshjeve të modës kërkon edhe një vit pas kthimit të normalitetit të stabilizohen. Kjo situatë ka sjellë që shumë manifaktuara në vend të mbyllen, të tjera të reduktojnë prodhimin. Nga muaji shkurt vazhdon dalja e punonjësve në asistencë, ndërsa shumë kompani janë në pamundësi financiare për të paguar detyrimet”.

Kryetari i Shoqatës ProEksport -Albania, Edvin Prençe tha se sektori i këpucës është më i godituri, duke pasur një rënie me mbi 63% të porosive.

“Mbyllja e Italisë nga dje e ka çuar ne kolaps dhe bllokim dhe atë programim që ishte bërë. Po humben mesatarisht 200 vende pune në javë. Muaji mars i dha goditje tjetër fatale sektorit. Tekstili është në rënie më të lehtë, por edhe ky sektor është në kolaps, pasi prodhimet e materialeve njëpërdorimshme, janë bllokuar dhe shtetet mundohen të ngrenë ekonomitë e tyre duke bërë prodhim brenda vendit, i shtojmë kësaj mungesën e investimeve për rritje të sasi/cilësi që kërkohet dhe ja ku po dalim jashtë kompetitivitetit ballkanik. Nuk ka reagim në mbështetje të sektorit nga Qeveria dhe si ne dhe klientët tanë, duhet te presim 26 prillin për të parë se çfarë do të ndodhë. Lufta për mbijetesë ka qenë e ashpër, por tani po bëhet e papërballueshme nga sektori”.