Basha fermerëve në Novoselë: Keni mbijetuar me qeverinë kundër, ne do të punojmë për ju

Kryetari Lulzim Basha këtë të mërkurë ndodhet në Novoselë ku është takuar me banorët.

Kryedemokrati në këtë takim është njohur nga afër me problemet kryesore të banorëve në këtë zonë.

Banorët i kanë shprehur shqetësimet e tyre duke kërkuar mbështetje.

“Ti rrofsh që ke marrë rrugën dhe të të bëjë perëndia mbarë këtë rrugë që ke nisur. Përnat ju shikojmë kush zihet dhe si flisni, sytë i kemi nga ju”, ka thënë banori.

Ndërkohë Basha ka premtuar mbështetjen me subvencione për blektorinë dhe bujqësinë.

“Edhe ky dielli që shkëlqen jashtë dhe kjo Vlorë që është perlë duhet të ketë shpresë për ndryshim. Në asnjë vend të botës nuk ecën as bujqësia as blektoria as bujqësia pa subvencion. Në 8 vite asnjë subvencion as për bletarinë, as për lopët, as për delet, as për perimet, as për bimët. Jemi vendi më i varfër në Ballkan dhe kemi çmimin më të lartë të naftës.

Unë nuk them se do bëjmë mrekullira siç bën Italia dhe Spanja për fermerin, por të paktën do të bëjmë atë që bën Shkupi dhe Maqedonia. Ti do të kesh më shumë ullinj për të punuar dhe do të prodhosh më shumë vaj. Shitja do të bëhet në shumë tregje të Evropës. Fabrika të tilla prodhimi vaji dhe të tjera do të subvencionohen dhe do të kenë mbështetjen e qeverisë. Unë nuk vij me premtime, por këto janë pjesë e një plani që dy vite u është dashur ekspertëve që ta hartojnë një gjë të tillë. Ju keni pasur qeverinë kundër dhe keni mbijetuar, me ne do të keni mbështetjen, siç vlerësohet fermeri në Kosovë dhe në Maqedoni fillimisht. Kemi një kryeministër që ka 8 vite që ka rritur taksat”, ka thënë Basha.