Xhaferraj për programin e arsimit: Bandat e Ramës kanë marrë peng profesorë dhe kandidatë për Rektor

Kryetari i Partisë Demokratike Dega Durrës, Ferdinand Xhaferraj, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ndaj programit të shpalosur sot nga kryeministri Edi Rama për Arsimin. Ai e cilëson këtë si një tallje publike, duke theksuar se në dy mandate qeveria e drejtuar nga Rama nuk u ka rritur asnjë qindarkë rrogave të mësuesve. “Në këtë vit elektoral, i dështuari Edi Rama trumbeton me të madhe se gjoja u ka rritur rrogat me 32%, por edhe kjo joreale”, shkruan Xhaferraj.

Ai përmend dhe përfshirjen e bandave në zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve. “Kryeministri më i keq që ka njohur historia pluraliste tenton të mashtrojë shqiptarët, sikur ata ta kenë harruar përfshirjen e drejtuesve të bandave më të rrezikshme në zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve. Bandat e komanduara nga Rama arritën deri aty sa të marrin peng profesorë dhe kandidatë për Rektor”, thotë Ferdinand Xhaferraj në postimin e tij.

Postimi i plotë:

“Si politikan dhe si i angazhuar prej vitesh drejtpërdrejtë në arsimin e lartë, jam i zhgënjyer nga tallja publike që Edi Rama bëri sot në shpalosjen e të ashtuquajturit program të Partisë Socialiste për Arsimin. Në tetë vite ai nuk u shtoi asnjë qindarkë rrogave të mësuesve. Në këtë vit elektoral, i dështuari Edi Rama trumbeton me të madhe se gjoja u ka rritur rrogat me 32%, por edhe kjo joreale.

Në mandatin 4 vjeçar të Lulzim Bashës si Kryeministër, rroga e mësuesve do të jetë minimumi 700 euro. Edukatorët e Kombit do të kenë mundësinë të bëjnë një jetë dinjitoze, njësoj si kolegët e tyre në shtetet përreth.

Edi Rama me tam-tame thotë se gjoja në universitete është vendosur meritokracia. Kryeministri më i keq që ka njohur historia pluraliste tenton të mashtrojë shqiptarët, sikur ata ta kenë harruar përfshirjen e drejtuesve të bandave më të rrezikshme në zgjedhjet e drejtuesve të universiteteve. Bandat e komanduara nga Rama arritën deri aty sa të marrin peng profesorë dhe kandidatë për Rektor.

Sistemi i Maturës Shtetërore është një dështim i plotë dhe më mirë se të gjithë këtë e dinë maturantët dhe familjarët e tyre. Mjafton të kujtojmë personazhin e “TURIT”.

Me Edi Ramën arsimi shqiptar ka pësuar vetëm regres.

Me Partinë Demokratike Shqipëria Fiton Arsimin!”