Shkodra kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellë bashkimi

Lulzim BASHA

Shkodra kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellë bashkimi i të gjithëve për këtë qëllim.

Sot në qytetin e Shkodrës takova dhe bisedova me qindra qytetarë, fola me shumë sipërmarrës, dëgjova me shumë interes idetë dhe projektet e të rinjve novatorë të këtij qyteti. Gjithashtu pashë nga afër shpirtin punëtor e kreativ të shkodranëve të përballet me perden e hekurt të kufizimeve, të pengesave dhe të korrupsionit që ka instaluar Edi Rama dhe qeveria e tij prej 8 vitesh.

Kudo ku ndalova, me këdo që fola në qytetin e Shkodrës, mora mesazhin e fortë se ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë në Shqipëri. Shkodranët janë të bindur për këtë, ashtu siç besojnë të gjithë shqiptarët.

Shkodra kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon ndryshim dhe ndryshimin do ta sjellë bashkimi i të gjithëve për këtë qëllim. Entuziazmi dhe vendosmëria që preka sot në çdo hap në rrugët e këtij qyteti, në shtëpitë dhe në sipërmarrjet e tij, janë garanci se në zgjedhje do të ketë pjesëmarrje si asnjëherë më parë.

I garantova qytetaret dhe qytetarët e Shkodrës se ashtu siç e integruam Shqipërinë në NATO, liberalizuam vizat dhe arritëm shumë kulme së bashku, së bashku do ta sjellim ndryshimin. Prandaj, me forcën e bashkimit tonë, më 25 prill të gjithë së bashku do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do të fitojë.
#SHQIPERIAFITON