Marku reagon ndaj Ramës: Duhet të trajtohet në një spital psikiatrik

Duke folur në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, Marku tha se të përdorësh termin reaksionar, siç e ka quajtur Rama, do të thotë të jesh ose injorant, ose i çmendur, ose enverist.

“E vetmja alternativë e Ramës është të shajë. Vetëm po ta analizonit atë cfarë tha ai, automatikisht ai duhet të shkojë të trajtohet në një spital psikiatrik. Mënyra e komunikimit, ajo cfarë tha ai, është krejt e shfazuar. Është turp që një kryeministër komunikon kështu me publikun. Të përdorësh termin reaksionar sot, do të thotë të jesh ose injorant, ose i çmendur, ose enverist. E ka shumë shqetësim Rama atë çfarë kam bërë unë, apo Gjekmarkaj, këto 8 vjet”, tha Marku.

Më tej, Marku u ndal te fushata elektorale e 25 prillit, duke thënë se PD merr katër mandate në Lezhë, madje ka synime për të pestin, duke qenë se është në koalicion me LSI.

“Ne mendojmë mandatin e katërt padiskutim në Lezhë, madje edhe të pestin. Unë nuk dua të flas për kundërshtarët e mi në Lezhë, por Lindita Nikolla ka dështuar si ministre Arsimi dhe u largua me protestat e studentëve. Ishte një dështim total i arsimit. Qeveria e saj ka dështuar në të gjitha objektivat që ka paraqitur para 8 vitesh. Nuk ofron më asnjë alternativë, vetëm zgjatjen e kësaj situate dramatike në vend. Mua ma thonë njerëzit se “nëse fiton PS, do të ikim nga Shqipëria”. Unë ju kam thënë që kjo nuk zgjidhje, pasi duhet të iki qeveria që qeveris keq. Jam i bindur që PD është parti e parë dhe koalicioni është fitues”, u shpreh ai.

Rikorrigjimet e listave, heqja e Gazmend Koduzit dhe lëvizjet e tjera në listën e PD, pse ndodhën?
Nuk e di arsyen e kësaj. Mendoj që të gjithë kandidatët, kushdo që ka qenë apo që është, potencialisht janë përfaqësues të denjë të PD. Nuk shoh ndonjë lëvizje të madhe. Kam përshtypjen mund të jetë rimenduar lista, por nuk shoh lëvizje të mëdhaja.

Ka hatërmbetje në këto ndryshime?
Patjetër që aty ku ka një proces përzgjedhjeje, normalisht që mund të ketë dhe hatërmbetje, por në fund e rëndësishme është fitorja. Problemi këtu nuk është te karriera politike e dikujt, por mendoj se kjo ka të bëjë me fitoren dhe e domosdoshme për shoqërinë është që të ikë Rama.