Basha me fermeren: Do bëjmë gjithçka që ekonomia të vihet në lëvizje e njerëzit të kenë para për të blerë

Në vizitën e tij në Vorë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në një fermë të vogël në Marikaj, ku Zonja Mira Maraj ka 50 vite që merret me këtë punë.

Edhe pse moshën që ka nuk e pengon, ajo shprehet se puna e saj vlen vetëm për të siguruar bukën dhe për të jetuar. Përpos mungesës së tregut për t’i shitur prodhimet, edhe shteti nuk i ka ardhur në ndihmë me asnjë subvencion.

Mira Maraj: Ja shikoje. Kemi mbjell, por nuk shkon pazari!

Lulzim Basha: Nuk shkon pazari?!

Mira Maraj: Jo! Ja, me spinaq, me sallata…

Mira Maraj: Jam e vjetër, kam heq edhe zinë. Tani është koha që nuk sigurojmë bukën, ne me atë punë hamë. Janë përgatitur se i hedhim pleh, i hedhim dap, i hedhim ashtu për krimb…

Lulzim Basha: Nuk merrni asnjë mbështetje nga shteti?

Mira Maraj: Asnjë gjë pra!

Lulzim Basha: Asnjë subvencion asnjë gjë?

Mira Maraj: Asnjë gjë! Sa për të jetuar!

Kryetari i Basha tha se e vetmja arsye e mungesës së tregut, është rritja e fukarallëkut tek njerëzit dhe fuqia blerëse ka rënë. Zgjidhja e vetme, sipas tij, është ndryshimi që do vij më 25 prill, ku qeveria do të jetë në krahun e çdo fermer i shqiptar. Në planin e qeverisë së ardhshme, 100 milion euro do të shkojnë për subvencione, për fermerët.

Lulzim Basha: Unë ja kam ardhur me të takuar e me të thënë të lumshin duart për gjithë këtë punë që ke bërë gjithë jetën tënde. E dyta, më të thënë se gjithë kjo punë që bëni ju, gratë e Shqipërisë, gjyshet, nënat e Shqipërisë ka nevojë që të shpërblehet. E deri më sot, siç ma the dhe vetë, mbillni, përgatisni, i bëni gati dhe nuk arrini me i shit. Arsyeja kryesore pse nuk arrini me i shit është se, e ke pa, fukarallëku është rrit. Fuqia e njerëzve për të blerë ka ra, mezi shkojnë blejnë dy kokrra domate në treg. Ekonomia është tërësisht e shkatërruar.

Kështu që dua t’i them të gjithë grave punëtore në veçanti në fshat, nga gocat e reja deri te nënat si ty, që ne do bëjmë gjithçka që ekonomia të vihet në lëvizje e njerëzit të ketë para për të blerë këto prodhime të mrekullueshme, që zgjidheni pa gdhirë dhe punoni gjithë ditën për ti kultivuar dhe për ti prodhuar. Në 25 Prill është data dhe të gjitha këto prodhime të mrekullueshme ne do garantojmë që të shkojnë në treg dhe njerëzit të kenë lekë për t’i blerë.

Kjo është një nga gjërat kryesore që do të ndryshojmë me fshatin, se ne fshatin e kemi prioritet të planit tonë dhe 100 milionë euro në vit do t’i ndajmë për subvencione, domethënë në bazë të prodhimit që bën do merrni para nga shteti për të paguar të gjitha këto që thua ti, fidanët, plehrat, dapi që the. Do t’i ndihmojë të gjithë njerëzit punëtorë të këtij vendi e në veçanti nënat punëtore si ty. Siç po largohet dimri, do të largojmë edhe të keqen me 25 Prill.