Tabaku: PD nuk e përdor gruan si fasadë

Në takimin e kryedemokratit Lulzim Basha me gratë kandidate për deputete, Jorida Tabaku, e cilësoi Partinë Demokratike shtëpinë e lirisë, të vlerave dhe mundësive. Ajo theksoi se asnjëherë nuk e ka ndaluar partia të thotë atë që mendon dhe nuk e ka përdorur asnjëherë për fasadë.

“Ne jemi ndryshe dhe duhet të tregojmë që jemi ndryshe dhe këtë duhet ta bëjmë me punën tonë. Gratë mund të bëjnë shkencë, janë të zonjat dhe në amësi, dhe në politikë, por ju duhet dhënë një mundësi. Në PD grave ju jepet një mundësi dhe ne duhet të japim rezultate, secila në fushën e vet. Unë jam rritur në PD dhe kam kënaqësi të them që vij nga strukturat e kësaj partie. E ndjej veten edhe militante të kësaj partie, por mua asnjëherë nuk më ka ndaluar partia të them atë që mendoj, nuk më ka përdorur asnjëherë për fasadë, nuk më ka detyruar të shaj kundërshtarin apo flas për kundërshtarin. As të flas për kryetarin, megjithëse zoti Basha e meriton. Ndaj jemi këtu, PD është partia e vlerave, e mundësive. Këto mundësi që na janë dhënë duhet t’ia japim çdo gruaje.

Çdo grua ia del të jetë e para në fushën e vetë. Unë kam qenë kundër kuotave në parti sepse gratë e PD ia dalin vetë. Gratë nuk kanë nevojë t’i japin privilegje vetëm mundësi. Dy kryeministre të djathta ka njohur bota, Margaret Thatcher dhe Angela Merkel”, tha Tabaku.