Ku ndryshon lista “Basha” nga lista “Rama”

Kastriot ISLAMI

LISTA RAMA:

a) Rama është dështaku më i madh në 8 vjet prandaj ai është kujdesur vetëm për veten e tij dhe anëtarët të sektit të tij të ngushtë që i ka siguruar të gjithë pa përjashtim në mesin e listës së çdo qarku. Ai pavarësisht përpjekjeve kolosale për të shpëtuar mbetet problemi kryesor, prandaj gjatë të gjithë fushatës do të jetë në shënjestër si objektivi kryesor i së keqes, apo si problemi më i madh i 8 viteve të keqqeverisjes së dështuar.

Pavarësisht të gjithë akrobacive e marifeteve të tij që është përpjekur të kryejë me hartimin e listës së kandidateve, nuk do të ketë mandat të tretë për të ndonëse ai vetë ka marrë masat të zgjidhet deputet me votat e rilindësve dhe të socialistëve naivë e të mashtruar.

b) Qasja e Ramës në ndërtimin e listës është tinëzare, hileqare e mashtruese, fasadë e paradoksale: nga njëra flitet për sukses në qeverisje e cila realisht ka dështuar në çdo aspekt në këto tetë vite, nga ana tjetër askush nga kandidatët e larguar apo të afruar nuk është vlerësuar e promovuar sipas standardeve demokratike, të kontributit apo dështimeve në qeverisje, por siguria në lisstën Rama i është dhënë vetëm sipas përkatësisë sektare apo besnikërisë ndaj Ramës. Disa prej tyre janë afruar thjesht për fasade siç janë dy personazhet e Tiranës…

c) Nga pak informacionet e deritanishme mund të thuhet se lista Rama pasqyron: luftë të ashpër mes klaneve brenda maxhorancës, spastrime tipike për një parti autoritare, tërheqje kryesisht të turpshme e të detyruara, mashtrime e marifete tinëzare me qasjen, largime apo spostime të shoqëruara me deklarime të forta, por edhe me pakënaqësi të fshehta e të pashprehura, spostime hileqare të të përdorurve, afrime klienteliste e servilesh të radhës, sherre të fshehta e të hapura, e tjerë.

d) Proces jo transparent dhe i fshehtë, proces i minutës së fundit, i neveritshëm për shqiptarët dhe i papranueshëm për partnerët…

e) Proces antieuropian e antidemokratik, kundër parimeve demokratike të meritës e karrierës sipas kontributit, vlerave e integritetit, të gjitha të urryera këto nga Rama…

f) Disa të spastruar duket kanë shtrënguar dhëmbët duke e pranuar pozicionin e propozuar ndonëse nuk ju ka pëlqyer, thjesht e vetëm për ti dhënë goditje në heshtje Ramës, nga brenda listës pra poshtë brezit gjatë fushatës (kjo mbetet për tu parë)… Një pjese e tyre janë të peshkuar nga Erion Veliaj që tenton ta shfrytëzojë këtë moment humbjeje të Ramës, të nxitur e të stimuluar fshehtas edhe prej tij së bashku me spastruarit e heshtur për marrë frenat e Rilindjes…

g) Nga disa ka pasur një tentative sistematike që edhe këtë radhë vijon është spastrimi i atyre elementëve më pak a shumë ingredient socialiste.

Gj) E gjithë lista Rama vërteton se ajo s’ka asnjë lidhje me reformën në drejtësi, as me menaxhimin e pasojave të tërmetit apo krizën sanitare, pavarësisht se Rama me gjeste e poza kllouni përpiqet të vërtetojë të kundërtën…

LISTA BASHA:

a) Për këtë listë si dhe për parlamentin e ardhshëm të vendit duhet rikujtuar shprehja e Çurçillit: çdo popull meriton qeverinë e tij… ose ndryshe, çdo parti meriton listën e saj…dhe prandaj është gati e pamundur në Shqipërinë tonë të dashur të kemi një listë të përkryer a të pëlqyer nga të gjithë.?!

b) Lista është bërë me transparencë të pëlqyeshme, duke respektuar në rrethanat e Shqipërisë (ku e keqja është kthyer në model suksesi e secili mendon se suksesi i të gjithëve varet prej tij) ku parimet e meritës e kërkesat individuale s’është e lehtë të ‘martohen’. Për të qenë realist, mund gjendeshin hapësira për tu përafruar më mirë kjo listë me standardet europiane.

c) Qasja e PD s’është as mashtruese e as tinëzare për votuesin, është klasike e standarde prandaj me shumë pak surpriza.

d) Ato që janë ‘ruajtur’, larguar apo afruar, apo edhe ata që janë në zonat e diskutueshme duket se janë përgjithësisht (natyrisht jo të gjithë) në përputhje me pritshmëritë e shumicës së votuesve, gjë që pritet të konfirmohet në zgjedhje, duke i dhënë hapësirë secilit të shprehet me votë për listën më të ‘mirë’…

e) Sidoqoftë kjo luftë për ‘listën’ më të mirë, duke qenë më e qartë për votuesit opozitarë ofron më shumë realizëm e për rrjedhojë më shumë parashikueshmëri e shanse për fitore…

***

Presioni Ndërkombëtare për të inkriminuarit: Ajo që duhet të vihet në dukje me shumë theks është se në këtë proces, lista e kandidatëve të rilindjes është bërë nën presionin të fortë ndërkombëtar për të mos lejuar kandidatura të korruptuara e të inkriminuara…ndonëse deri në momentin e fundit, Rama është përpjekur tinëzisht të maskojë veprimin e fshehtë të shumë personazheve me profile të dyshimtë duke u përpjekur të maskojë disa prej tyre pas emrave të familjarëve të tyre…Megjithatë disa prej tyre janë prap nëpër lista e duhet pritur ditët në vijim për të parë se ç’do të ndodhë me ta në KQZ, apo veprimet e tyre në fushatë se në fakt disa prej tyre vijojnë të kenë lidhje të forta me Ramën…

Tërheqjet e turpshme: Pjesa e dyshimtë e këtij procesi janë tërheqjet që nuk mund të jenë në asnjë rast normale e reale për një proces të karrierës demokratike; madje disa prej tyre janë të turpshme nga mënyra sesi i janë servirur publikut si gjoja të mirëkuptuara por që askush s’i beson si të tilla… Ka edhe disa tërheqje të papërmendura nga Rama ose të stigmatizuara negativisht por që mbeten të dyshimta për publikun përderisa personazhet e larguara s’janë prononcuar.

Proces jo transparent: I gjithë procesi i caktimit të listës së kandidatëve nga Rama ka qenë jo transparent, madje i errët për qytetarët. Qytetarët edhe këtë herë, pavarësisht platformës mashtruese ‘Deputeti që duam’, dhe ndonëse iu janë premtuar procedura transparente, detyrohen të njihen me kandidaturat vetëm disa minuta para përfundimit të afatit ligjor… Dhe për më tepër kjo ndodh kur mbi 25 përqind e votuesve janë ende të lëkundur apo kur mbi 70 përqind e tyre janë të revoltuar e plotë mllef kundër qeverisjes së dështuar… Të presim reagimin e tyre në 25 prill ndaj kësaj arrogance dhe tallje të Ramës për këtë kërkesë të tyre minimale për transparencë…

Proces autoritar: Procesi nga Rama vazhdon të mbetet autoritar për të mos thënë më shumë se kaq; të gjithë kandidaturat janë të përcaktuara vetëm nga individi Rama, që është vetë problemi e s’mund të jetë zgjidhja. Ai ka përgatitur listën finale, tërësisht i mbyllur në vetvete duke përdorur mashtrimet e arrogancën në takimet individuale. Paraqitja e propozimit të sulltanit të Surrelit në kryesi është sa për sy e faqe, duke e vendosur shumicën e anëtarëve të kryesisë në kushtet e servilizmit të tyre tipik apo disa të tjerë në rrethanat e autocensurës sepse ju duhet të mbrojnë qëndrimin e tyre në listë apo disa të tjerë në kushtet e heshtjes, të gënjyer apo vetëgënjyer nga mashtrimet e tij…

Kandidatë pa këllqe dhe pa karakter të fortë. Të gjithë kandidatët në listë, pa asnjë përjashtim janë zgjedhur si individë pa këllqe e të paaftë e pa karakterin e mjaftueshëm për të kundërshtuar të keqen edhe kur në publik mund të kenë ‘imazh të spikatur profesional’. Thënë ndryshe, ajo që i bashkon të gjithë kandidaturat është servilizmi e klientelizmi.

Lavdërime false për tërheqjet.. Rama përmes mashtrimeve ka vlerësuar me lavdërime false disa nga të tërhequrit kukulla apo edhe afrimin e disa manekinëvë të rinj..Kjo tregon se si të tërhequrit e ‘vjetër, ashtu edhe të afruarit e ‘rinj’ s’kanë qënë produkt i një procesi normal e të shëndetshëm të karrierës e meritës, as nuk janë socialistë të spikatur madje disa prej tyre as të njohur… dhe për më tepër shumë prej tyre s’kanë asnjë lidhje me politikën; ato thjeshtë i kanë shërbyer dhe i shërbejnë Ramës për të maskuar dështimet…

Shumë nga të larguarit, anonimë për gjithnjë…Disa individë që u tërhoqën do të mbeten anonimë për gjithmonë pavarësisht lavdërimeve momentale që ju bëri sa për sy e faqe ‘udhëheqësi global’… Kurse pothuajse të gjithë ata që po afrohen janë po ashtu anonimë, të paktën në politikë… Kjo zgjedhje ka qenë dhe është e qëllimshme nga Rama sepse vetëm kështu ata do të mund të ishin pa ‘rrënjë’ dhe per rrjedhojë do të mund largoheshin në çdo moment ose duke i ‘vrarë’ në mes të natës pa i lejuar të lëshojnë zhurmë apo të vetëlargoheshin duke ‘u vetëvrarë’; njëlloj si para 1990.

Largimet e afrimet, kukulla-pjesë e klientelës. Pothuajse të gjithë të ‘tërhequrit’ pa përjashtim po ashtu si të ‘(vetë)larguarit’, me gjoja dëshirë, do të zëvendësohen nga personazhe identikë, kryesisht apo përgjithësisht anonimë që do të sillen njëlloj si kukullat paraardhëse dhe do ta largohen po ashtu si paraardhësit e tyre, pa lënë asnjë gjurmë, të paktën në aspektin politik por mbi të gjitha do të mbahen mend thjeshtë si personazhe që pranuan në heshtje të gjithë zullumet e qeverisjes apo mbyllën sytë, veshët e gojën para hajdutëve, kriminelëve e trafikantëve. Thënë troç, s’patën guximin të thonë çfarë mendojnë duke u kthyer në koracë për keqqeverisjen e dështuar…

Anëtarët e sektit të mirësiguruar në mes të listës. Në ‘ekipin’ e Ramës ka shumë anonimë në rresht të parë me shpresën se do ti hedhë hi syve apo do të mashtrojë qytetarët më ‘rilindjen e tretë’… po ashtu siç kishte mashtruar edhe dy herë më parë… më premtimet ekstreme apo me ‘tepsinë e timonin’… Shumica e tyre mund të mos përfundojnë në parlament se për tu mbajtur mend nga publiku as që bëhet fjalë…

Në ekipin e tij ka edhe disa personazhe të afërt e të keqpërdorur nga Rama që megjithëse janë më të neveritshmit për publikun, por kanë qenë dhe u treguan të gatshëm ti bindeshin kërkesave të tij për të hapur rrugë duke qëndruar në zonën e rrezikut dhe që Rama nuk e çan kokën nëse këta largohen nga politika me votën e qytetarëve apo shpenzojnë nga paratë e tyre të vjedhura për të qëndruar në parlament, gjithnjë në shërbim të Ramës…

Ato që janë më të mbrojturit në mesin e listës Rama për cdo qark janë anëtarët e sektit të tij që kanë ‘origjinë’ që nga Bashkia; këta nuk janë as për fasadë në krye as në zonën e rrezikut, por janë të mirëmaskuar e të garantuar në mesin e listës, janë kryesisht ministra apo ish-ministra të dhjamosur nga babëzia dhe grabitja e pasurive publike por që konsiderohen prej Ramës besnikë ekstremë të cilët janë të gatshëm në cdo moment të bëjnë cfarë ju kërkon ai apo për ta mbrojtur atë në cdo rrethanë sepse këtë e konsiderojnë edhe mbrojtje për vete e për sektin…

Në zonën e rrezikut të listave të PS janë shumë figuara të urryera, të korruptuar e të inkriminuara, që duhen demaskuar e eleminuar. Ata individë të vendosur në ‘zonën limit’ që Rama po i shet si figura të lavdishme, në fakt janë të përfolura e të urryera nga qytetarët. Me shumë gjasa Rama i ka vendosur në këtë zonë rreziku jo vetëm për të mbrojtur nga sulmet e ashpra partinë por edhe ndoshta edhe për ti eliminuar nëse s’ia arrijnë të fitojnë, duke hedhur në veprim paratë e tyre të vjedhura gjatë 8 vjetëve. Apo duke u viktimizuar për ti ardhë keq votuesve të majtë për ti dhënë kështu ndoshta shansin të grumbullonin vota për veten e tyre për rrjedhojë edhe për partinë, duke mos e carë fare kokën se mund të eliminohej në këtë rast edhe ndonjë personazh naiv, pak larg zonës së rrezikut, që mendon se është i(e)garantuar.

Uroj e shpresoj që votuesit, veçanërisht ata socialistë, të kuptojnë mashtrimet e lojën tinzare të Ramës me listën e kandidatëve thjesht e vetëm për ti marrë votën për interesin e tij personal; e kështu me votën e tyre të ndëshkojnë këtë mashtrim të radhës, sidomos figurat e urryera në ‘zonën e rrezikut’. Përndryshe do t’ju duhet të lëngojnë për ca kohë…