Borati foli për mure të lyer me bojë dhe gardhe të sistemuar, por harroi…

Nga Erion DASHO

HABERET E BORATIT: BORATI ME “SIKUR”

Sot Borati ju kthye temës së vet të preferuar, si kanë qenë spitalet kur erdhi në pushtet ai dhe sejmenët e vet dhe si janë sot. Si gjithmonë, Borati foli për mure të lyer me bojë, për kopshte dhe gardhe të sistemuar, por harroi thelbësoren: cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Një nga temat e tjera të preferuara të Boratit dhe boratëve është ajo e “sikur-it”.

Ç’do të kishte ndodhur sikur epidemia të kishte ngjarë në epokën e para Boratit, atëherë kur në pushtet ishin “të tjerët”.

Së pari, poliklinikat e bojatisura dhe gardhet e rregulluara nuk garantojnë kujdes shëndetësor cilësor. Këtë e tregoi pandemia. Indikatori më i saktë është shkalla e besimit të pacientit dhe sot pacienti shqiptar i ka braktisur spitalet e Boratit. Ai preferon të trajtohet në shtëpi, shpesh duke paguar miliona, shpesh duke vendosur jetën në rrezik.

Së dyti, shifrat janë ato që flasin qartë. Nga data 1 korrik 2020 dhe deri më sot, spitalet COVID kanë regjistruar 5,224 ditë shtrati në pavionët e kujdesit intensiv, përkundrejt 1,790 vdekjeve.

  • Nëse supozohet se ditë qëndrimi mesatar për rast të shtruar është vetëm një ditë (gjë që ka pak të ngjarë), vdekshmëria nga COVID rezulton 1,790 ÷ 5,224 = 34%.
  • Nëse ditë qëndrimi mesatar supozohet dy ditë për rast të shtruar, atëherë vdekshmëria nga COVID rezulton 1,790 ÷ (5,224 ÷ 2) = 68.5%!
  • Për një ditë qëndrimi mesatar tre ditë për rast, vdekshmëria nga COVID midis pacientëve të shtruar në kujdesin intensiv do të ishte 1,790 ÷ (5,224 ÷ 3) = 100%!!!

Pra kujdesi që ofrojnë spitalet e Boratit është në nivele skandaloze. Në rastin më të mirë 34% dhe në rastin më të keq 100% për pacientët e shtruar në reanimacion! As spitalet afrikane nuk kanë këtë nivel vdekshmërie!

Së fundit, çfarë do të kishte ndodhur epidemia do të kishte ndodhur para ardhjes në pushtet të Boratit? Këtu do të përmend vetëm tre argumenta:

  1. Në 29 vjet demokraci, 8 vjet ka qeverisur Borati dhe 21 vite “të tjerët”. Gjatë 8 viteve të Boratit kanë drejtuar ministrinë e shëndetësisë një informaticien dhe një kimiste. Gjatë mandatit të dytë ministria e shëndetësisë u shkatërrua dhe në të sot punojnë vetëm dy mjekë.

Gjatë 21 viteve që kanë qeverisur “të tjerët”, janë ulur në karrigen e ministrit, eminenca të fushave të tyre ku mund të veçohen kryetari i shoqatës së mjekëve anestezistë, themeluesi i katedrës së gjenetikës mjeksore, një mjek njohës i shkëlqyer i urgjencës mjeksore, një prej të parëve mjekë shqiptarëve të trajnuar jashtë vendit në fushën e shëndetit publik dhe menaxhimit shëndetësor, etj.

  1. Instituti i Shëndetit Publik në kohën e para-Boratit është drejtuar nga eminenca të biostatikës, eminenca të epidemiologjisë, specialistë të trajnuar jashtë vendit në fushën e shëndetit publik, etj. Sot ky institut nuk gjen dot një epidemiolog dhe një biostaticien për ta caktuar pranë komitetit të ekspertëve. Çdo koment është i tepërt.
  2. Në momentin kur u ul në karrigen e kryeministrit, 18 spitale të Boratit ishin të lidhur në një rrjet funksional telemjeksie. Me qindra mjekë dhe mijëra infermierë në gjithë vendin u trajnuan përsa kohë ky rrjet funksionoi. Në se epidemia do të kishte ndodhur në ato vite, brenda një një jave mund të ishin trajnuar të gjithë mjekët dhe infermierët e spitaleve rajonalë.

Fatkeqësisht, sot raportohet se disa nga qendrat e telemjeksisë janë kthyer në magazina duke hedhur në erë një punë të mundimshme shumë vjeçare për të krijuar asete që do të kishin qenë aq të dobishëm në situatën e krijuar.

Borat!

Fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve në 2020-ën e në vazhdim, nuk ishte virusi, por fakti që epidemia i gjeti me një kryeministër manipulues, mashtrues dhe megaloman si ty.

Ti i le shqiptarët pa teste, me një sistem referimi të paorganizuar dhe me një komitet qesharak i cili në vend që të drejtonte përgjigjen ndaj epidemisë, dirigjohej nga tekat e tua të çmendura!

Sistemet e survejancës dhe telemjeksisë që i përdori çdo vend i botës dështuan totalisht në Shqipërinë tënde!

Sot ti mundohesh të bësh diversion me vaksinat. Ke siguruar deri tani vaksina për të mbuluar 0.5% të popullatës dhe po i paraqet sikur do të bësh namin.

Rri dhe sheh kur vaksinohet çdo infermier dhe çdo i moshuar. U je bërë ferrë dhe po i ngatërrohesh nëpër këmbë çdo infermieri dhe vaksinatori!

Borat!

Ti dhe boratët e tu keni në ndërgjegje 8,100 të vdekur shtesë nga fillimi i pandemisë dhe deri sot. Me mënyrën se si drejton ti, këto shifra vetëm mund të përkeqësohen!

Jep njëherë llogari për këto jetë të humbura para se të flasësh me sikur…