Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka ”goditur” qeverinë sa i takon pastrimit të parave në vendin tonë, ku theksohet se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë përparim të dukshëm.
Në raport thuhet se Shqipëria vuan mungesën e institucioneve të forta, ndërkohë që grupet e krimit të organizuar thuhet se janë shtrirë kryesisht në investimin e bizneseve në fushën e pasurive të paluajtshme.
Pjesë nga raporti
Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjetet e krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi kryesisht informale, me flukse hyrëse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e remitancave dhe të investimeve të ndryshme.
Një pjesë e parave të pista që qarkullojnë në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje në rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria regjistroi një progres me përdorimin e ligjit të antimafias, duke përfshirë konfiskimin e 40 përqind të pasurive që i përkasin Klement Balilit, i quajtur “Eskobari i Ballkanit”.
Reformat gjyqësore në vazhdim, duke përfshirë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të çrrënjosur korrupsionin nga sektori i drejtësisë dhe krijimi i njësive të shumta të specializuara të policisë që synojnë financat dhe krimet ekonomike, kanë përmirësuar perspektivat e Shqipërisë për adresimin e pastrimit të parave.
Sidoqoftë, këto përpjekje vështirësohen nga sfidat e kapacitetit që ka në institucionet e reja të drehtësisë, si dhe korrupsioni që minon shtetin e së drejtës.
Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar janë burimet kryesore të parave të pista. Afërsia e Shqipërisë me Evropën Perëndimore dhe prania e shqiptarëve në krimin e organizuar në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut rrit dobësitë e sistemit. Investime në pasuri të paluajtshme dhe projektet e zhvillimit të biznesit janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të paligjshëm të të ardhurave.
Në Janar 2020, parlamenti miratoi legjislacionin që i jep mundësinë SPAK dhe Policisë së Shtetit që të kenë mundësi për të shënjestruar pasuritë e paligjshme, dhe konfiksimin e tyre, në rast se kanë origjinë nga aktiviteti krtiminal.
Ndërsa ky ligj (i referohet OFL-së) ishte efektiv në sekuestrimin fillestar të pasurisë, sekuestrimi i aseteve mbetet sfidues për shkak të provave.
Ndryshimet e fundit ligjore dhe të politikave kanë përmirësuar aftësinë e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe krimet financiare, megjithëse zbatimi ka qenë i paqëndrueshëm. Ligji Anti-Mafia ishte ndryshuar në vitin 2020 për të përmirësuar menaxhimin e pasurive të konfiskuara.
Ligji shqiptar kërkon deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë, ndërkohë që ligji i ndalon ata që të mbajnë sasi të mëdha parash jashtë sistemit bankar.
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë një marrëveshje dypalëshe, por bashkëpunimi është i mundur përmes konventave shumëpalëshe.
Reformat kushtetuese dhe ligjore që po ndërmerren në vitet e fundit përfshijnë reformat në sistemin e drejtësisë dhe vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. Dyzet e gjashtë përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar, për shkak se nuk e kanë justifikuar pasurinë e tyre, dhe kanë pasur lidhje me subjekte të dyshimta. 17 përqind të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për të shmangur kontrollin.
Shqipëria ka një treg të konsiderueshëm për mallrat kontrabandë për shkak të kontrolleve të dobëta të kufijve. Gjykatat në pak raste kanë dhënë dënime për veprën e pastrimit të parave.